Në 10 vjetorin e vrasjes së 4 protestuesve në bulevard përpara Kryeministrisë, Policia e Tiranës kërkon rihapjen e dosjes së “21 Janarit”.
Kërkesa ka të bëjë me vrasjen e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës. Që të kërkohet rihapja e hetimeve duhet që të ketë prova të reja.
Kërkohet riekspertim për caktimin e drejtimit të qitjes në vrasjen e bërë ndaj Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës si dhe për plagosjen e disa personave të tjerë.
Po ashtu është kërkuar edhe që të kryhet një riekspertim i predhës së gjetur në trupin e Aleks Nikës. Gjithashtu është kërkuar që të pyeten edhe dëshmitarët, si edhe familjarë dhe të afërm të viktimave.
Tashmë pritet se çfarë do të bëjë prokuroria për dosjen e bujshme, për të cilën i pezulloi hetimet vitin e kaluar.
Më 21 janar 2011, gjatë protestës përpara Kryeministrisë u vranë Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika.