Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë territorin e vendit janë raportuar 29 vatra zjarri, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.
Nga të dhënat e Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, raportohet se është bërë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e 23 vatrave.
Ndërkaq, vijon puna për izolimin e plotë të flakëve në vendgrumbullimin e mbetjeve të Bashkisë Vlorë, nga forcat e pushtetit vendor dhe qëndror.
Vatrat e zjarrit në fshatin Malecaj dhe Torovicë të bashkisë Lezhë, vijojnë me intesitet të ulët dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara. Po ashtu është shmangur tërësisht rreziku për banesat nga vatra e zjarrit në malin e Shëngjinit, bashkia Lezhë, i cili pasditen e djeshme mori përmasa të menjëhershme për shkak të erës së fortë.
Gjithashtu, po punohet për shuarjen e zjarrit në fshatin Peraj, bashkia Has i cili si pasojë e erës së fortë ka kaluar nga territori i bashkisë Tropojë si dhe në fshatin Rrjoll, të bashkisë Shkodër, zjarr i cili vijon me intesitet të ulët.