Është zhvilluar për herë të parë në Durrës panairi “Verë dhe Traditë”. Aktiviteti bëri bashkë biznese, prodhues të ndryshëm të verës të cilët ekspozuan prodhimet e tyre. Organizimi tërhoqi vëmendjen e qytetarëve, por edhe të turistëve të cilët janë të shumtë në këtë periudhë festash në qytetin bregdetar.
“Është një panair që ka ngjallur interesin e qytetarëve, turistëve, por edhe vetë bizneseve të cilët e kanë kërkuar këtë panair. Ato kanë kërkuar që ky të kthehet në një traditë, në një festë lokale.”
Panairi u shoqërua edhe me një aktivitet muzikor.
“Kemi menduar për t’i dhënë akoma më shumë gjallëri dhe atmosferë festive qytetit në këto ditë dhe ndaj ju ftojmë të gjithëve të na bashkoheni dhe të shijojmë bashkë këtë eksperiencë unike.”
Bashkia e Durrësit ka përgatitur një kalendar të pasur me aktivitete në këto ditë të fundit të dhjetorit për të pritur sa më mirë turistët.
