“Në kurthin e Piter Panit” do të rikthehet nesër mbrëma në ekranin e Tv Klan, përshtatur tërësisht me kushtet e reja të vendosura nga situata e krijuar nga Covid-19. Gazetarët e vegjël, me të cilët jeni njohur për disa javë, tashmë do të pozicionohen në vende të reja dhe prej andej do ta gjejnë, gjithsesi, mënyrën për të provokuar e ngacmuar të ftuarit që do të vijojnë të jenë po aq interesantë për publikun.
Aventurierët e vegjël të anijes së re të Piter Panit, tani do të flasin edhe për karantinën e tyre, gjërat e bukura, por edhe ato që u kanë munguar gjatë kësaj kohe. Por, natyrisht, s’mund ta harrojnë misionin e “Piter Panit” – të zbërthejnë çdo karakter që kanë para tyre dhe ta servirin te publiku ashtu siç është në të vërtetë.
Cilët janë dy personazhet që nesër mbrëma do të merren në pyetje nga gazetarët e ardhshëm?
Olta Xhaçka
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, është një personazh i dashur për panelet televizive, për qetësinë që transmeton gjithmonë në publik. Si nënë e dy fëmijëve, Olta është edhe më pranë botës së tyre tani, kështu që nuk do ta ketë aspak të vështirë ta gjejë veten mirë mes fëmijëve të Piter Panit.
Ministrja Xhaçka është diplomuar për Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, Master of Arts (MA), për Administrim Publik nga Clark University, USA. Diplomuar me titull nderi. Në vitin 2006 ka qenë hartuese projektesh për organizata joqeveritare në Amerikë.
Ka qenë pjesë aktive e shoqërisë civile, kryesisht në fushën e të drejtave të njeriut dhe mirëqeverisjes. Për disa vite ka qenë pedagoge e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, pranë Universitetit New York Tirana. Është zgjedhur deputete e Partisë Socialiste në dy legjislatura dhe është anëtare e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë. Aktualisht Znj. Xhaçka mban postin e Ministres së Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Ori Nebijaj
Kush nuk e njeh Orin dhe programet e saj, në dimër dhe në verë? Moderatorja e njohur e Top Channel, prej vitesh është një prej personazheve më të spikatur të ekranit. Nga ekrani në politikë, në biznes, pastaj rishtazi në ekran, Ori ka gjithmonë shumë për të thënë. Një pjesë e mirë e projekteve televizive sezonale në Top Channel janë moderuar nga ajo dhe, me siguri, edhe shumë të tjera ka në plan të realizojë.
Për mëngjeset e saj “të vështira”, për karantinën, për projektet që pret të realizojë, por edhe për ndonjë gjë tjetër sekret që nuk e ka zbuluar ende në publik deri tani, Ori është nesër mbrëma në “Piter Pan”. Mos e humbni!