Paniku ka mbërthyer qytetarët në Kongo, pasi në mes të pandemisë nga koronavirusi i ri, rrezikojnë të preken edhe nga Ebola.
Shkak është bërë arratisja nga një klinikë mjekësore e një pacienti me Ebola, duke vështirësuar përpjekjet e vendit për të mbajtur nën kontroll infeksionin, raportoi Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Gjashtë persona janë infektuar me Ebola gjatë javës së fundit në Kongo. Pacienti që u arratis në qytetin Beni është një 28-vjeçar shofer taksie. Nga Gushti i 2018-së, Ebola ka shkaktuar 2,200 vdekje në vendin e varfër afrikan, megjithatë një pjesë e madhe e popullatës ende besojnë se sëmundja “nuk është e vërtetë”.
Në Kongo aktualisht janë raportuar 327 raste me koronavirusin e ri dhe 25 vdekje. Ebola ka një shkallë tepër më të lartë vdekshmërie se Covid-19, por nuk përhapet kaq lehtë.