Amerika i ka thënë Presidentit Volodymyr Zelensky se Ukraina duhet të pranojë një kornizë të hartuar nga SHBA-të për t’i dhënë fund luftës me Rusinë. Plani propozon që Kievi të dorëzojë territorin dhe disa armë, raporton Reuters. Sipas ”Reuters” propozimet përfshijnë ndër të tjera, zvogëlimin e madhësisë së forcave të armatosura të Ukrainës.Uashingtoni dëshiron që Kievi të pranojë pikat kryesore.
Në të njëjtën kohë, Financial Times shkon edhe më tej, duke raportuar se administrata Trump dhe zyrtarët rusë kanë hartuar së bashku një propozim të ri për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, i cili parashikon lëshime të rëndësishme nga Kievi, dhe i kërkoi Presidentit Volodymyr Zelensky ta pranonte atë.
Një grup zyrtarësh aktualë dhe ish-zyrtarësh rusë dhe amerikanë morën pjesë në hartimin e planit, siç i tha Financial Times një person me informacione mbi bisedimet. Plani u soll në Kiev këtë javë nga i dërguari special i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Steve Witkov, i cili u takua me sekretarin e Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës dhe ish-ministrin e mbrojtjes, Rustam Umerov, në Miami për të shqyrtuar 28 pikat e tij.
Sipas personave që kanë njohuri të drejtpërdrejta për dokumentin, plani kërkon që Ukraina të heqë dorë nga pjesa tjetër e rajonit lindor të Donbasit, duke përfshirë territoret nën kontrollin e Kievit, dhe të përgjysmojë madhësinë e forcave të saj të armatosura. Më e rëndësishmja, plani kërkon gjithashtu që Ukraina të heqë dorë nga kategoritë kryesore të armatimeve dhe gjithashtu përfshin një reduktim të ndihmës ushtarake amerikane, e cila ka qenë jetike për mbrojtjen e saj, duke e lënë vendin të prekshëm ndaj sulmeve të ardhshme nga Rusia.
Gjithashtu do të përcaktojë që rusishtja do të njihet si gjuha zyrtare shtetërore në Ukrainë dhe dega lokale e Kishës Ortodokse Ruse do të ketë status zyrtar.Një burim i njohur me dokumentin e përshkroi atë si shumë të përgjithshëm dhe “anon fort nga Rusia”. Një person tjetër i informuar mbi planin e quajti atë “shumë të përshtatshëm për Putinin”. Zyrtarët në Kiev të informuar mbi planin thanë se ai ishte në përputhje të ngushtë me kërkesat maksimaliste të Kremlinit dhe do të ishte e pamundur të zbatohej në Ukrainë pa ndryshime të rëndësishme.
Megjithatë, raportet thonë se sipas burimeve në administratën Trump, Zelensky, në situatën e tij të vështirë aktuale, do të detyrohet t’i pranojë këto pika, pasi nuk ka zgjidhje tjetër. Burimet gjithashtu besojnë se nëse Ukraina pranon, evropianët do të bëjnë të njëjtën gjë. Kremlini të martën refuzoi të komentonte mbi raportet e faqes amerikane të lajmeve Axios se Uashingtoni.
“Nuk kemi asgjë të re për të ndarë me ju mbi këtë çështje”, tha zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov, në një konferencë për shtyp, ku mori pjesë edhe AFP. I pyetur për të sqaruar nëse ka ndonjë zhvillim krahasuar me propozimet e Putinit në vitin 2024, Peskov u përgjigj se nuk ka asgjë të re përtej diskutimeve në samitin në Anchorage.
Sipas Axios, i cili citon burime ruse dhe amerikane, plani ka të bëjë me garancitë e sigurisë për Ukrainën, sigurinë në Evropë dhe marrëdhëniet Moskë-Uashington, por nuk zgjidh çështjet territoriale. Siç ka raportuar Axios, bëhet fjalë për një plan veprimi me 28 pika, i frymëzuar nga plani i Presidentit të SHBA-së Donald Trump për një armëpushim në Gaza.
Ashtu si me planin e Gazës, propozimi do të përfshijë “paqen në Ukrainë, garancitë e sigurisë, sigurinë në Evropë dhe marrëdhëniet e ardhshme të SHBA-së me Rusinë dhe Ukrainën”, sipas burimeve. Është e paqartë se si plani i qaset çështjeve të diskutueshme, siç është kontrolli territorial në Ukrainën lindore, ku forcat ruse po përparojnë ngadalë, por ende kontrollojnë shumë më pak tokë sesa ka pretenduar Kremlini.
