Si kurrë parë, kantautori dhe artisti i këngëve të shpirtit, Flori Mumajesi përmes disa Instastory-sh në Instagram, ndau detaje intime nga jeta personale dhe gjendja e tij emocionale, që dukej e ngarkuar.
Flori fali kupat e çmimeve në festivale, dhe kjo ka bërë që njerëzit ta krahasojnë me një personazh po kaq në vëmendje për sjelljet e tij të veçanta, Kanye West. Jo pak njerëz në TikTok, po e krahasojnë Florin me Kanye-n. Disa mendojnë se thjesht “ngjasojnë”, të tjerë thonë se Flori po ndjek strategjitë e tij.
Krahasimi bën disi sens. Aq më tepër, kur kujtojmë se në shtator të 2020-s, Kanye vendosi në tualet një nga çmimet e tij Grammy dhe urinoi mbi të. Më pas, e shpërndau videon me ndjekësit e tij në Twitter.
Veprimi shumë më drastik se ai i Florit, erdhi për shkak të revoltës së reperit ndaj kompanive të produksioneve muzikore rreth pronësisë së këngëve të artistëve atëherë.
