Regjimi në Bjellorusi ka liruar 123 të burgosur politikë, përfshirë aktivisten e njohur të opozitës Maria Kolesnikova, pasi Shtetet e Bashkuara ranë dakord të hiqnin disa sanksione ndaj vendit.
Edhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqen, Ales Bialiatski është mes personave që kanë fituar lirinë pas bisedimeve të zhvilluara në Minsk me të dërguarin e posaçëm të presidentit Trump, John Coale.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë pranuar të heqin sanksionet ndaj kripës së potasiumit, një ingredient kyç i fertilizuesve dhe një mall i rëndësishëm eksporti për Bjellorusinë, që është një aleate e ngushtë e Rusisë.
“Ndërsa marrëdhëniet mes dy vendeve normalizohen, gjithnjë e më shumë sanksione do të hiqen”, ka deklaruar i dërguari amerikan, Coale.
Negociatat e Minskut janë zhvilluar pavarësisht se, lideri bjellorus Alexander Lukashenko nuk njihet si president nga vendet e Bashkimit Evropian.
Kolesnikova ka qenë në burg që prej vitit 2020, me shumicën e periudhës të kaluar në regjim izolimi. Pas lirimit, ajo ka folur për një “ndjesi të pabesueshme gëzimi”, për faktin se është në gjendje të shohë dhe të përqafojë njerëzit përreth saj.
“Ndjej një gëzim të madh teksa shoh perëndimin e parë të lirisë sime. Është shumë bukur. Por duhet të mendojmë për ata që nuk janë liruar ende. Mezi pres momentin kur të gjithë të jenë të lirë”, ka thënë Kolesnikova.
Bashkë me 113 të burgosur të tjerë ajo i është dorëzuar Ukrainës, ku pas kontrolleve mjekësore do të dërgohen në Poloni dhe Lituani.
