Donald Trump deklaroi të dielën se ekziston një “shans i mirë” për arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, pas raundit të fundit të negociatave mes SHBA-së dhe delegacionit ukrainas në Florida.
Komentet e tij vijnë ndërsa i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, përgatitet të udhëtojë drejt Moskës për bisedime të mëtejshme.
Sipas palëve, diskutimet maratonë në Florida janë cilësuar “produktive”, megjithëse sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, theksoi se “duhet ende shumë punë” përpara se të arrihet një dakordësi. Një burim nga delegacioni ukrainas i përshkroi bisedimet si “jo të lehta”.
Vizita e Witkoff-it në Moskë, e parashikuar për të martën, do të përfshijë takime me presidentin rus Vladimir Putin, ku pritet të trajtohen hapat e mundshëm drejt një zgjidhjeje diplomatike.
Trump, duke folur nga bordi i Air Force One, përmendi sfidat me të cilat përballet Kievi, përfshirë një hetim korrupsioni që çoi në shkarkimin e shefit të stafit dhe kryenegociatorit të presidentit Volodymyr Zelenskyy.
“Ukraina ka disa probleme të vogla të vështira,”tha ai. “Por mendoj se ka shanse të mira që të arrijmë një marrëveshje.”
