Sulmuesi brazilian Nejmar ka pranuar se e ka përjetuar shumë keq dëmtimin e tij që e ka lënë spektator prej disa muajsh te PSG. Nuk ishte hera e parë që sulmuesi dëmtohej e operohej, por këtë herë ai ka treguar se nuk ishte si para Botërorit të Rusisë.
“Këtë herë vonoi më shumë që ta kapërdija atë që më kishte ndodhur. Qëndrova dy ditë në shtëpi, shumë keq, vetëm qaja, isha me të vërtetë i trishtuar”, theksoi sulmuesi i cili po kalonte një formë shumë të mirë te PSG dhe kombëtarja para se të ndodhte dëmtimi.
“I dyti ishte më i komplikuar” tregoi futbollisti, duke lënë të kuptohet se ka rrezikuar më shumë. “Herën e parë, ku u dëmtova thashë ‘shpejt, shpejt të operohem se duhet të mbërrijmë në kohë për Kupën e Botës’. Nuk mbeta i trishtuar në një cep si tani”, pranoi futbollisti, i cili parashikohet që të jetë i gatshëm në gjysmën e dytë të muajit prill.