Nëna e Andon Janaqit, autori i dyshuar për vrasjen e partneres së tij dhe më pas kreu vetëvrasje në Francë, thotë se ka kërkuar ndihmën e shtetit shqiptar për të sjellë trupin e të birit në atdhe, ndërsa ka treguar se nuk kishte asnjë dijeni për konfliktet që mund t’i kishin çuar drejt kësaj tragjedie.
“Më ndihmoftë shteti të më sjellë trupin e djalit këtu. Unë nuk di gjë se çfarë ka bërë djali andej. Ishin mirë, ishin bukur. Fërkime ka çdo shtëpi”, rrëfen nëna. Sipas saj, telefonata ka ardhur rreth orës 20:45 nga nusja e djalit tjetër që jeton në Greqi: “Flora, mblidh mendjen, se yt bir kështu ka bërë. Vrau veten e tij dhe nusen”, i është thënë asaj mes lotësh.
E tronditur dhe e shkatërruar, ajo ka pohuar se nuk e dinte që situata mund të përfundonte në një akt kaq ekstrem: “Ata kishin fërkime në shtëpinë e tyre, por nuk e di t’i them të sakta se trurin nuk e kam të qetë. Evlat e kishte ajo, evlat e kisha dhe unë. Nuk më vjen mirë”.
