Nëna
e Kostandin Kacifas procedohet penalisht nga prokuroria për thirrjet për dhunë
të bëra pak ditë më parë në Gjirokastër. Dosja ndaj saj është referuar në
prokurori nga Antiterrori i Policisë shqiptare për veprën penale që dënohet
deri në 3 vjet burg. Në cilësinë e provave janë administruar me video
deklaratat e saj kundër rendit kushtetues dhe qytetarëve shqiptarë dhe thirrjet
se jugu i Shqipërisë është Vorio Epir.
Prokuroria e Gjirokastrës ka nisur hetimet ndaj nënës së Kostandin Kacifas, për
thirrjet publike për dhunë të bëra gjatë përvjetorit të djalit të saj në
fshatin Bularat. 67-vjeçarja, Vasilia Kacifas, është referuar në prokurori nga
sektori i Antiterrorit në Policinë e Shtetit, për në thirrjet që bëri më 26
tetor tek varri i të riut në Gjirokastër. Mësohet se oficerët e Antiterrorit
kanë administruar pamje me video ku nëna e Kacifas bën thirrje kundër shtetit
shqiptar dhe qytetarëve.
“Tradhtarët. Thyejuni turinjtë, vrajini, shfarosini. Janë tradhtarë. Nuk ka qeveri këtu. Vorio Epiri është tokë greke, ne jemi grekë. Do luftojmë dhe asgjë nuk do na ndalë. Jam krenare për ty biri im”, kanë qenë thirrjet e 67-vjeçares.
Pikërisht
për këto deklarata duket se ajo tashmë do të përballet me prokurorinë. Burimet
thanë se nëna e Kostandin Kacifas po hetohet për veprën penale të parashikuar
nga neni 223 i kodit penal për thirrjet publike për veprime të dhunshme. Në
këtë nen, thuhet se deklaratat e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme
kundër rendit kushtetues, dënohen me
gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Procedimi penal mësohet se ka filluar edhe për zyrtarë të OMONIA-s të cilët kërcënuan dhe fyen gazetarët shqiptarë që po ndiqnin ceremoninë përkujtimore për Kostandin Kacifas në Bularat.