Këtë të martë në Akademinë Përkujtimore të mbajtur në Çair, nëna e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, Gjylymsere Kasapi ka përlotur të gjithë të pranishmit me fjalët e saj të ndjera. Ajo e nisi fjalimin duke falënderuar mikun e familjes, kryetarin e sapozgjedhur të Çairit, Izet Mexhitin, për organizimin e këtij nderimi.
”Faleminderit zotëri Izet Mexhiti, miku im, që organizove këtë eveniment për nder të humbjes së madhe të shpirtit tim, gjysmës së shpirtit tim, Shpatit”,-tha ajo mes dëshpërimit. Pavarësisht karrierës së gjatë në arsim, ajo rrëfeu se përballë kësaj humbjeje, fjalët i kishin humbur peshën. ”Sot do thoni pse nuk jam në gjendje të flas. 22 vjet kam ligjëruar, por sot ndjej një emocion që kurrë në jetë nuk e kam ndjerë. Dhe e dinë të gjitha nënat që e kanë humbur fëmijën e vet”.
Ajo thotë se nuk e kishte kuptuar plotësisht sa e madhe ishte deri më sot. Momenti më rrëqethës ishte kur ajo zbuloi se viti i fundit i jetës së Shpatit nuk kishte qenë i lehtë, duke treguar se familja kishte jetuar me një ankth të pashpjegueshëm. ”Le të prehet në paqe. Le të jetë i qetë atje, pasi vitin e fundit nuk ka qenë i qetë. Kjo ka qenë parandjenjë e gjithë neve që jemi shqetësuar si familje”.
Në mbyllje, ajo bëri një lutje prekëse për anëtarët e tjerë të familjes, të cilët i quajti arsyeja që e mbajnë ende në jetë. ”E lus Zotin, me lutjet e mia më të fuqishme që të më ruajë fëmijët e tjerë, dritat e syve: Albinin, Jehonën, nipërit, mbesat, Roelin dhe Selvijen, që do më mbajnë të gjallë nëse jam në jetë tutje. Le të prehet në lulet e xhenetit”,-përfundoi ajo.
