Që sapo Ilir Meta mori postin e presidentit, numri i të huajve që kanë marrë nënshtetësinë shqiptare është rritur ndjeshëm. Teksa Bujar Nishani do mbahet mend si presidenti që theu çdo rekord me dekoratat, Meta do mbahet mend si presidenti që i ka dhënë nënshtetësi kujtdo që ka dashur të bëhet shqiptar. 1.200 shtetas të huaj janë bërë shqiptarë nga presidenti Meta gjatë viteve 2018-2019. Në vitin 2018 e kanë marrë pasaportën shqiptare plot 658 persona, ndërsa gjatë 2019 plot 514 persona. Ata që dominojnë më shumë janë shtetasit kosovarë. Rreth 60-70 për qind janë emra nga Kosova që kanë marrë shtetësinë shqiptare. Dihet që të gjithë kosovarët e duan shtetësinë shqiptare për shkak të lëvizjes së lirë në Shengen. Kosova nuk i ka liberalizuar vizat dhe kështu që si alternativë përdoret pasaporta shqiptare, shkruan Shqip.
Ata që merren me këtë proces janë këshilltari i Metës për Sigurinë, Bahri Shaqiri dhe Sekretari i Përgjithshëm. Ata bëjnë verifikimet e dokumenteve dhe ja kalojnë më pas Metës për firmosjen e dekretit. Sado dashamirës të jetë presidenti ndaj kosovarëve, një shifër prej 1.200 nënshtetësish është tejet e lartë. Ndërkohë përveç shtetasve nga Kosova ka dhe nga Italia, por dhe nga shtete aziatike.
Dyshimet mbi zbatimin e ligjit
1.200 nënshtetësi në dy vite janë shumë. Dhënia e tyre bëhet mbi bazën e kritereve të përcaktuara në ligjin për shtetësinë. Në fund të viti që lamë pas ligji ndryshoi dhe sipas tij shtetësia fitohet me: lindje; origjinë; lindje në territorin e Republikës së Shqipërisë; natyralizim; birësim. Ndërsa me ligjin e vjetër që ka përdorur presidenti jepej me: lindje; natyralizim; birësim. Shumica e shtetësive që ka dhënë Meta janë me natyralizim. Por që të jepet shtetësia duhen disa kushte themelore. “Një i huaj që ka paraqitur kërkesë për marrjen e shtetësisë shqiptare me natyralizim e fiton atë në rast se plotëson kushtet e mëposhtme: Të ketë mbushur moshën 18 vjeç; Të ketë banuar ligjërisht në territorin e Republikës së Shqipërisë , në mënyrë të vazhdueshme, për jo më pak se 5 vjet; Të ketë banesë dhe të disponoje të ardhura të mjaftueshme; Të mos ketë qenë ndonjëherë i dënuar në shtetin e vet apo në Republikën e Shqipërisë ose në ndonjë shtet të tretë për vepra penale, për të cilat ligji parashikon dënime me jo më pak se 3 vjet heqje lirie”, thuhet në ligj. Pra kushti bazë duhet të ketë jetuar 5 vite në Shqipëri. Pyetja që shtrohet është: Këta persona kanë jetuar 5 vitet e fundit në vendin tonë?