Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku thotë se çdo investim në sektorin energjetik ka në fokus përmirësimin e cilësisë së furnizimit, por edhe uljen e humbjeve në rrjet.
”Investimi në nënstacionin e ri elektrik të Kuçovës, synon fuqizimin e rrjetit për t’i ofruar shërbim mbi 15 500 abonentëve. Një shërbim për furnizimin me energji pa ndërprerje dhe me cilësi të lartë. Është shumë e rëndësishme që teksa fuqizojmë furnizimin. Të ulim humbjet teknike, që në 2013, i gjetëm në nivelin 50%. Në vitin 2024 kemi arritur të ulim humbjet në shifrën historike 17,9%”,-tha Balluku.
Po ashtu ministrja Balluku shpjegoi se çdo të thotë të kemi 1% më pak humbje. ”1% më pak humbje teknike në rrjet do të thotë 8 milionë euro të kursyera. Mendoni në 2013, 50% humbje teknike. Në këtë periudhë 1-vjeçare me 1% humbje më pak, pra me 8 milionë euro plus, bashkë me kursimet e tjera të ardhura nga mirëmenaxhimi i energjisë nga OSHEE Group, ia kemi dalë të ulim çmimin e energjisë me 10,5% për 1 milion e 70 mijë abonentë për vitin 2025”.
