Pas një shkëputje disa javore nga aktiviteti parlamentar për shkak të fushatës elektorale dhe zgjedhjeve, ligjvënësit e kësaj legjislature i rikthehen nesër, më 29 mars, jetës parlamentare. Seanca plenare është parashikuar që të nisë në orën 12:00, ndërsa në orën 10:00, do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve.
Në Konferencë pritet të diskutohet për kalendarin e punimeve të kuvendit për periudhën 29 maj – 8 korrik 2025. Puna e trupës së ligjvënësve aktualë do të vijojë deri në 8 korrik dhe sipas kalendarit zyrtar do të bëhen raportimet vjetore të të gjitha institucioneve publike, përfshirë edhe ato të drejtësisë.
Në Shtator, ligjvënësit aktualë do të duhet të ‘lirojnë’ vendin për deputetët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 11 majit. Disa prej tyre janë rikonfirmuar për një mandat tjetër, por shumë emra s’do të jenë më në Kuvend.
Parlamenti aktual, i dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, e ka nisur mandatin e tij më 10 shtator 2021. Për këtë arsye, parlamenti i ri i 11 majit pritet të konstituohet brenda 10 ditëshit të dytë të shtatorit, pasi sipas Kushtetutës, Kuvendi i ri duhet të mblidhet jo më vonë se 10 ditë pas përfundimit të mandatit të legjislaturës së mëparshme.
Konferenca e Kryetarëve
- Vendndodhja:Salla “Pjetër Arbnori”
- Ora:10:00
- Shqyrtimi i projektprogramit të punës së Kuvendit për periudhën 29 maj – 8 korrik 2025.
- Shqyrtimi i projektkalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 29 maj – 18 qershor 2025.
- Raporti i monitorimit për periudhën 1 janar – 31 mars 2025, për ecurinë e zbatimit të Planit të Veprimit të Kuvendit
për zbatimin e rekomandimeve të raportit të Komisionit Evropian pë vitin 2024.
