Gentian Hoti, një emigrant shqiptar që mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1999, kur ishte vetëm 15 vjeç, ka fituar pas 26 vitesh betejë ligjore të drejtën për të qëndruar dhe për të mbajtur shtetësinë britanike. Në përpjekje për t’u pranuar si azilant, ai kishte përdorur një identitet të rremë, duke pretenduar se ishte një vit më i ri dhe se kishte lindur në Kosovë, duke deklaruar se ishte ndarë nga familja dhe kishte vuajtur nga autoritetet serbe gjatë luftës.
Megjithëse kërkesa e tij për azil u refuzua, autoritetet britanike i dhanë leje të jashtëzakonshme qëndrimi deri në vitin 2003. Më pas, Hoti u vendos në kujdesin e autoriteteve lokale dhe në vitin 2004 mori leje të pacaktuar qëndrimi. Një vit më vonë, ai aplikoi për nënshtetësi britanike, e cila iu miratua.
Por në vitin 2010, Ministria e Brendshme (Home Office) nisi një hetim dhe në vitin 2013 shpalli se shtetësia e tij ishte “e pavlefshme” për shkak të mashtrimit me identitetin. Në vitin 2019, autoritetet vendosën t’ia heqin nënshtetësinë, duke theksuar se Hoti kishte mbajtur të njëjtin identitet të rremë në çdo aplikim që prej mbërritjes në Britani.
Hoti apeloi vendimin dhe pas disa proceseve gjyqësore, gjykatat britanike vendosën përfundimisht në favor të tij. Gjykata e Lartë arriti në përfundimin se ai nuk mund të mbahej përgjegjës për mashtrimin e bërë kur ishte ende i mitur dhe se që nga viti 2013 kishte pranuar hapur origjinën e tij shqiptare.
