Ambasada britanike bën me dije se kryeministri britanik Rishi Sunak zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, këtë pasdite.
Të dy liderët vlerësuan marrëdhënien e ngushtë afatgjatë mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë dhe u angazhuan për të forcuar bashkëpunimin sa i takon tregtisë, investimeve dhe mbrojtjes, përfshirë edhe sigurinë kibernetike.
Kryeministri Sunak pranoi kontributin pozitiv të komunitetit shqiptar në shoqërinë britanike, por të dy udhëheqësit pranuan se më shumë duhet bërë për të adresuar emigracionin e paligjshëm dhe për të sfiduar krimin e organizuar.
Ata diskutuan mbi planet për të shtuar bashkëpunimin për të adresuar sfidat e përbashkëta duke përfshirë edhe mbylljen e boshllëqëve që po ndalojnë kthimin e shpejtë të azil-kërkuesve të refuzuar.
“Kryeministri Rishi Sunak dhe Kryeministri Edi Rama mirëpresin të punojnë së bashku për t’i trajtuar këto çështje dhe të thellojnë marrëdhënien gjithëpërfshirëse mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë”, thuhet në njoftim.
Një ditë më parë qeveria angleze hodhi idenë e vendosjes së Shqipërisë në listën e bardhë duke i mohuar automatikisht të drejtën e kërkim azilit.
Vitin e shkuar parlamenti miratoi në kohë rekord marrëveshjen e nënshkruar në Tiranë nga ish-ministrja e punëve të brendshme Priti Patel me homologun Bledi Çuçi për dënimin e shpejtë të shqiptarëve të cilët mbarojnë vuajtjen e dënimit në burgjet angleze.
Dy muaj më parë po në një kohë të shkurtër parlamenti shqiptarë ratifikoi memorandumin e bashkëpunimit me Britaninë e Madhe në shkëmbimin e të dhënave në ato shqiptare me qëllimin identifikimin e personave shqiptarë me precedentë penal që mbërrijnë në Angli. Sikurse dakordësimin e dërgimit të oficerëve shqiptarë të kontaktit në portin e Doverit Angli.