PS ka përkujtuar përmes një ceremonie të veçantë ditëlindjen e ish-deputetit të saj Bashkim Fino më 12 tetor.
Të pranishëm ishin figura të vjetra të PS, që nga Gramoz Ruçi e Valentina Leskaj e gjer tek deputetë më të rinj me të cilët ndau një pjesë të rrugëtimit të tij politik gjer në 2021, kur edhe u nda nga jeta.
Përkrah Gramoz Ruçit që mbajti dhe një fjalë, ishte dhe vajza e tij Megi Fino, e cila është emëruar nga kryeministri Edi Rama në postin e zëvendës ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme. I pranishëm ishte edhe ish-deputeti i LSI, Vangjel Tavo me origjinë po nga Gjirokastra.
Bashkim Fino është angazhuar herët në politikë. Në vitin 1992 ai ishte Kryetar Bashkie në Gjirokastër, bashki të cilën e drejtoi deri në vitin 1996.
Karriera e tij pati një ngritje të menjëhershme pas trazirave te ’97, kur në mars u zgjodh me konsensus mes palëve si Kryeministër i qeverisë së Pajtimit Kombëtar. Në këtë detyrë të përkohshme qëndroi vetëm katër muaj të atij viti.
Më pas Fino u emërua Zv/kryeministër e Ministër i Pushtetit Lokal. Shërbeu deri ne 2004 në kabinetin qeveritar të socialisteve. Pas postit të ministrit të pushtetit vendor mori detyrën e Ministrit të punëve publike, më pas u zgjodh Ministër i Rregullimit të Territorit .
Fino ka lindur në Tiranë, më 12 tetor 1962.
Ka kryer studimet ne Fakultetin Ekonomik për Financë, ndërsa pjesë e karriges se tij profesionale kane qenë edhe specializimet për menaxhimin e pushtetit vendor dhe ekonomi.
Së fundmi ishte anëtar i Komisionit parlamentar të ligjeve.



