Bashkëpunëtorja e emisionit në Angli arriti që të komunikonte me Elezin, ndërsa mësohet se ai ndodhet në spital në psikiatri në Manchester.
Emisioni ‘Pa Gjurmë’ arriti mbrëmjen e sotme që të zbulojë vendndodhjen e Flamur Elezit 42-vjeç nga Kavaja.
Bashkëpunëtorja e emisionit në Angli arriti që të komunikonte me Elezin, ndërsa mësohet se ai ndodhet në spital në psikiatri në Manchester.
Ai është paraqitur si shqiptar i Kosovës në vitin 2012. Flamur Elezi qëndroi një vit në gjendje kome pas aksidentit, që e la me pasoja të rënda.
Doli nga koma dhe i telefonoi nënës: Nuk vij më, do kurohem në Angli
Plagët e emigracionit sikundër në
shumë histori të ngjashme kanë lënë gjurmë Flamur Elezi është emigranti, i cili
prej vitesh kishte kaluar kufirin shqiptar, duke u nisur nga Vlora me skaf në
vitin 1990. Një adoleshent asokohe bashkë me dy vëllezërit Ramazanin dhe
Xhemalin qëndruan për afro 6 muaj në Foggia duke u pajisur edhe me leje
qëndrimi. Atje ai njihet me një shok, ndërsa i pohon se e kishte në mendje për
tu larguar drejt Anglisë.
Duke vënë në dijeni dhe vëllezërit sëbashku me shokun e tij pas afro 3-vitesh
qëndrimi në Itali, Flamuri udhëton në Angli me tren. Ishte viti 1994, kur sapo
mbërritën njoftoi familjarët. Shokët atje u ndanë në drejtime të ndryshme,
ndërsa Flamuri qëndroi në një kamp në qytetin Manchester. Fati e deshi që gjatë
qëndrimit në këtë kamp, Flamuri të njihej me një shtetase angleze, Armandën.
Kjo e fundit arrin ta ndihmojë Flamurin për të bërë dokumentet. Marrëdhënia mes
tyre u bë edhe më e ngushtë, ndërsa të dy shumë shpejt do te bëheshin prindër.
Por kjo gjë nuk u finalizua dot pasi Armanda vendos që në muajin e 8 të
shtatzënisë të marrë një vendim të vështirë, të heqë fëmijën, me pretendimin se
nuk ishin ende gati për tu bërë prindër. Flamuri nuk e pret mirë këtë gjë. Ajo
që nuk duhet të ndodhte tashmë kishte ndodhur, por pavarësisht kësaj shqiptari
nga Kavaja vendos të kthehet në Shqipëri bashkë me Armandën. Ishte viti 2007
kur Flamuri e prezanton bashkëjetuesen angleze me familjen e tij. Qëndruan për
afro dy javë dhe me tu kthyer në Angli çifti ndahet. Një vit më pas Flamuri do
të rikthehej përsëri në atdhe pasi babai i tij ndërroi jetë. Qëndroi për pak
kohë dhe rikthehet në Angli.
Pak ditë nga ndërrimi i viteve, në 2011 Flamuri bën aksident të rëndë rrugor,
ai kalon në gjendje kome, ndërsa humbet cdo mjet identifikimi i tij. Kjo ishte
drama e parë e familjes Elezi, e cila humbi kontaktin me Flamurin, ndërsa nuk e
dinin se në cilin spital ndodhej ai. Nipi i tij Ervini lidhet me shokët e
Flamurit dhe arrin të kontaktojë me spitalin në të cilin ndodhej daja i tij, i
cili vijonte në ishte në gjendje kome. Familjarët mësonin për mbarëvajtjen e
Flamurit vetëm përmes një kontakti të vënë në dispozicion nga ky spital në
Londër, derisa Flamuri del nga gjendja e komës dhe vijon kurimin intensiv. Nis
përsëri komunikimin me familjen, derisa në vitin 2016 ai foli për herë të
fundit me nënën.