Paketat e turizmit kulturor të kësaj jave rrugëtojnë nga sheshet e kryeqytetit apo qyteteve të mëdha e deri në qendrat e qytezave të Orikumit e liqenin e Belshit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një informacion të përmbledhur nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, ndërsa ftoi qytetarët që të ndjekin aplikacionin TEA, për t’u informuar mbi paketat e turizmit kulturor përgjatë kësaj jave në Shqipëri.
Rama solli në vëmendje se një mbrëmje muzikore elektrizuese pritet të gjallërojë qytetin e Tiranës, ku muzikanti legjendar kuban Eliades Ochoa dhe këngëtari botëror latino – amerikan Ricky Martin do të performojnë në 20 korrik për të gjithë ata që duan të përjetojnë emocione të jashtëzakonshme në këto festivale të përmasave ndërkombëtare.
“Mes letërsisë, folklorit, trashëgimisë kulturore, cirkut e teatrit të kukullave, aplikacioni TEA do të bëhet guida juaj drejt Shkodrës, Durrësit e Vlorës, në këto ditë të nxehta vere”, u shpreh ai.
Kryeministri ftoi qytetarët që të shkarkojnë aplikacionin TEA për të qëndruar të përditësuar me atë që ndodh kudo nëpër Shqipëri. Nga data 17 në 20 korrik në amfiteatrin e Tiranës do të organizohet “International Folk Festival”. “Hemingway Jazz Fest” është një tjetër aktiviteti që do të organizohet nga 19-21 korrik në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet.