Fatmira Hajdari, gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë, do të dalë dalë në 15 qershor para Komisionit të Vetingut, për t’u njohur me rezultatet e verifikimit për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Verifikimet për bashkëshorten e Azem Hajdarit kanë nisur që në nëntor të vitit 2018, duke zgjatur rreth 19 muaj. Trupa gjykuese që po shqyrton dosjen e gjyqtares Hajdari përbëhet nga Roland Ilia, Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja.
Fatmira Hajdari u përjashtua disa ditë më parë trupa gjykuese e Apelit për shqyrtimin e dosjes CEZ, ku i kallëzuar është Sali Berisha me një grup ish-ministrash dhe drejtorësh të tij, për skandalin e privatizimit të OSSH, me dëm ekonomik 414 milionë euro. Përjashtimi i saj erdhi pas kërkesës së Kuvendit, me argumentin se ajo ka miqësi familjare me familjen Berisha.
Zonja Hajdari ishte edhe pjesë e trupit gjykues që kishte në dorë dosjen e Lulzim Bashës për lotimin rus, por që dha dorëheqjen, me arsyetimin se Basha kishte pirë kafe në shtëpinë e saj, në një përvjetor të Azem Hajdarit.
Më parë, Fatmira Hajdari ka marrë pjesë në procesin ku u shpall i fajshëm Florenc Hoxha, ish-drejtor i Policisë Bashkiake të Tiranës 2011-2015, i dënuar nga shkalla e parë me 1 vit e 4 muaj burg për shpërdorim të detyrës dhe plagosje.
Ndërkaq, mbetet për t’u parë se cili do të jetë vlerësimi i Vetingut për pasurinë e Fatmira Hajdarit. Përpos të tjerave, gjyqtarja Hajdari ka deklaruar edhe lidhjen e një kontrate 7 vite më parë për një ndërtimin e një pallati 10-katësh në Tiranë, së bashku me djalin e saj, Kirjald Hajdari. Pallati do ndërtohej në një sipërfaqe 890 m2. Nuk ka të dhëna mbi vlerën e kontratës dhe vendin e ndërtesës.
Fatmira Hajdari dhe djali i saj kanë marrë edhe një ambient me qira pranë Qytetit Studenti me sipërfaqe 280 m2. Për rikonstruksionin e këtij ambienti ata kanë marrë një kredi të pazakontë në 2007, me vlerë 19 000 000 lekë. Në deklaratën e pasurisë thuhet se këstet e kredisë po i shlyen djali nga të ardhurat e lokalit Barë-Kafe.
Ndërkaq, në vitin 2012, këtë investim e kanë shitur për 160 mijë euro. Nga këto para, 14 mijë euro kanë kaluar në llogarinë personale të Fatmira Hajdarit. Gjyqtarja e Apelit ka deklaruar edhe një dyqan, apartament etj.