Mjeku Dhimitër Kraja rezulton i infektuar me koronavirus. Pas 48 viteve punë në spitalin Infektiv profesor Dhimitër Kraja në datë 20 mars iu përgjigj i pari thirrjes për t’u rikthyer në shërbim, për të ndihmuar kolegët në kurimin e pacientëve të infektuar, por u prek nga COVID-19.
Lajmi konfirmohet nga burime pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Dhimitër Kraja është shtruar prej ditës së djeshme në spitalin Infektiv ku po trajtohet nga kolegët për të fituar luftën me koronavirusin.
Postimi i ministres:
Pesha e viteve nuk e pengoi Prof. Dhimitër Krajën për t’u rikthyer në spitalin infektiv, aty ku ka kaluar 48 vite të jetës së tij, për t’i dhënë një dorë stafit të palodhur të këtij spitali në këto ditë të vështira!
I rrallë e modest si pakkush, Dr. Luli, siç e thërrasin të gjithë, po përballet vetë në këto momente, me sëmundjen që aq shumë donte ta luftonte❗
Gjendja shëndetësore e doktor Lulit në këto momente është e qëndrueshme, në trajtim nga ekipi mjekësor, për të cilin ka qenë ngahera një burim i pashtershëm frymëzimi.