Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, ka folur sot, 17 nëntor, në mbledhjen e Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, për projekt-buxhetin e vitit 2026 dhe çdo lloj financimi të parashikuar deri në 2028-ën.
67.3 miliard lekë, tha ajo, do të shkojnë për skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
“Në vitin 2026, shëndetësia do të hyjë në një etapë të re zhvillimi me buxhetin më të madh, prej 108.8 miliardë lekësh ose 12.3% të buxhetit të shtetit dhe 3.9% të prodhimit të brendshëm bruto.”
Këta sektorë i cilësoi prioritet për qeverinë.
“Kemi një rritje prej 4.2% të buxhetit. Gjatë dekadës së fundit Shqipëria ka pasur përmirësime të dukshme, sot ne jemi me jetëgjatësinë më të lartë në Ballkanin Perëndimor, 79 vjeç, krahasuar me 75 të mesatares së Ballkanit Perëndimor dhe shumë afër nivelit të Bashkimit Evropian, 81 vjeç”, deklaroi Sala.
“Mortaliteti i fëmijëve nën 5 vjeç ka rënë ndjeshëm nga 20 për 1 mijë lindje në vitin 2005, në 9 për 1 mijë lindje në vitin 2023. Për të njëjtën periudhë, mortaliteti i nënave gjatë lindjes është përgjysmuar përafërsisht nga 12 në 7 për 100 mijë lindje”, shtoi më tej.
Duke u ndalur te infrastruktura shëndetësore, theksoi se “është zgjeruar skema e sigurimeve shoqërore, është trajnuar stafi, janë përmirësuar shërbimet e specializuara dhe janë rritur pagat”.
Megjithatë, vuri theksin te një sërë sfidash.
“Po përballemi me një popullatë ku mosha mesatare vjen duke u rritur, kemi një rritje të sëmundjeve kronike, si ajo e zemrës, tumorale, të mushkërive dhe Alzheimer. Duhet një reformim i sistemit shëndetësor nga ana teknologjike për t’ju përgjigjur nevojave.”
Sipas ministres Sala, në projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm është përfshirë efekti i rritjes së pagave që në janar, duke unifikuar llogaritjen e vjetërsisë në punë me një përqindje të diferencuar nga 1 deri në 30 vite punë si dhe indeksimin e pagave me 2.5%.
“Efekti financiar për këtë politikë është 2.4 miliard lekë për 4600 mjekë e farmacistë si dhe 14 200 teknikë të shkencave mjekësore e laborantë në sistemin shëndetësor. Prej vitit 2019, qeveria ka alokuar rreth 12.4 miliard lekë për rritjen e pagave në shëndetësi.”
Tha se në projekt-buxhetin 2026 është përfshirë rimbursimi i të gjitha barnave antitumorale për të sëmurët që trajtohen në Spitalin Onkologjik, duke shtuar 1.5 miliard lekë më shumë për barnat.
Do të financohen programet, si më poshtë:
-Shërbime të kujdesit parësor, 7.6 milion vizita në vlerën 2.3 miliard lekë
– Mbulimin universal për kontrollin bazë mjekësor, check-up, për grupmoshën 35-70 vjeç, me një vlerë 69 milion lekë
– Rimbursimi i fishave për matjen e diabetit për të moshuarit mbi 65 vjeç si dhe personat me aftësi të kufizuara, 166 milionë lekë financim
– Rimbursimi i barnave me shtesë prej 900 milion lekësh
– 500 milion lekë për barnat onkologjike për rreth 400 mijë pacientë
-Programi i shërbimit të kujdesit spitalor: Rikonstruksion i gjirit për 350 pacientë me 70 milion lekë financim, procedura e transplantit të kornesë për 50 pacientë, ofrimi i gjithë barnave onologjike në një vlerës shtesë në buxhetin për barnat me 1 miliard lekë, të përfshirë te shërbimi shëndetësor
– Do të vijojë financimi në pesë spitale terciare, 11 spitale rajonale dhe Spitalin Memorial të Fierit, 27 spitale bashkiake, me vlerë 27.9 miliard lekë
– 1394 pacientë do të trajtohen me dializë, me vlerë financimi 2.6 miliard lekë
– 11 930 pacientë do të trajtohen me paketat e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë me një vlerë financimi 1.4 miliard lekë që do trajtohen te “Nënë Tereza” dhe “Shefqet Ndroqi”
– 22 pacientë me transplant renal (të veshkës), me financim 23 milion lekë
– 5 150 pacientë do të trajtohen me paketën e kataraktit me vlerë financimi 112 milion lekë
– 5.3 milion ekzaminime financuar me rreth 2 mld lekë
– 1 250 analiza për sindromën Down, me vlerë financimi 6 milion lekë
Programi i Shëndetit Publik – vaksinat për rreth 180 mijë fëmijë me një vlerë financimi prej 270 milion lekë, vaksinat e gripit sezonal për rreth 280 mijë persona me vlerë financimi prej 159 milion lekë
Programi kombëtar i depistimit – 5 mijë gra të depistuara për kancerin e gjirit me vlerë financimi prej 13 milion lekë, 12 mijë gra të depistuara për kancerin e qafës së mitrës, me vlerë financimi 26.9 milion lekë
Programi i Përkujdesit Social, financim me 7.3 miliard lekë për 57 mijë familje dhe 4 mijë individë në skemën e ndihmës ekonomike
– 94 mijë persona me aftësi të kufizuara dhe kujdestarë do të financohen me 15.3 miliard lekë
– Bonusi i bebes, me vlerë financimi 2.3 miliard lekë
– 8 300 gra me 3 fëmijë të cilave u paguhen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore me një vlerë financimi prej 850 milion lekë
– 95 shërbime të financuara me fond social dhe 150 persona të kategorive në nevojë që do të punësohen në ndërmarrjet sociale me vlerë financimi prej 480 milion lekë
Po rikonstruksionet? (2026-2028)
Rikonstruksioni i Urgjencës në Spitalin e Durrësit
Rikonstruksioni i godinës së Spitalit Psikiatrik në QSUT
Rikonstruksioni i Spitalit të Tropojës dhe i godinës qendrore të Spitalit të Matit
Rikonstruksion i maternitetit numër 1 në Tiranë, i godinës qendrore të spitalit rajonal në Gjirokastër, i godinës qendrore të spitalit Pogradec, i disa pavioneve të spitalit Berat, i godinës qendrore të spitalit Lushnje, i godinës së maternitetit në spitalin e Shkodrës dhe atë të Fierit.
Theksoi po ashtu se do të ndërtohet godina e re e spitalit rajonal Korçë dhe se do të blihen pajisje mjekësore në vlerën 1.1 miliard lekë (në total).
