Pas përfundimit të rinumërimit të votave në Qarkun e Tiranës, ish-deputeti Myslym Murrizi i cili kandidoi por që nuk fitoi, ka reaguar në rrjetet sociale ku nuk i ka kursyer ironitë. Pas mbylljes së rinumërimit, në PD i vetmi që u ngjit në renditje tek lista preferenciale ishte Asllan Dogjani që kapërceu Myslim Murrizin. Ndër të tjera ai shprehet se në këtë proces rinumërimi, opozita u nis të marrë një mandat shtesë për PD, “por rrëzuan armikun Murrizi se kishte vjedhur 57 vota”.
Postimi i plotë
Procesi i “rinumërimit” nga administrata e KQZ-së përfundoi.
Anëtarët e PD-së në KAS kontribuuan në shuarjen e “luftës” së brendshme dhe “betejës” për vjedhjen e votave me zetorë 28, traktorë 54 apo trena pune të modelit sovjetik, bullgar e kinez.
U kërkua dhe u nis me “bindjen” se PD do të merrte një mandat shtesë nga votat e pavlefshme, por në fakt humbi edhe 612 vota të tjera.
Sipas PD-së, 29 kandidatëve të listës së hapur u janë hequr gjithsej 1202 vota, ndërsa 8 kandidatëve të tjerë u janë shtuar gjithsej 139 vota. Nga ana e PS-së, 32 kandidatëve të listës së hapur u janë hequr gjithsej 2490 vota, ndërsa 5 kandidatëve të tjerë u janë shtuar gjithsej 92 vota. Pra, nga i gjithë ky proces “rinumërimi” ose rivlerësimi, rezulton se 61 kandidatë të PD-së dhe PS-së të listës së hapur kanë pasur gjithsej 3553 vota të “pamerituara”, dhe 13 kandidatëve të tjerë u janë “hequr” në mënyrë “kriminale” 231 vota në total.
E vetmja “fitore” nga i gjithë ky proces për të gjitha forcat politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 11 majit ishte “rrëzimi i Murrizit” nga “froni”.
Pra, 48 punonjësit e KQZ-së kanë “rivlerësuar”, jo rinumëruar, pasi 57 vota për Murrizin janë cilësuar si të pavlefshme, megjithëse më parë ishin vlerësuar si të vlefshme nga rreth 1000 numërues të PD-së dhe PS-së në 18 ZAZ-të e Qarkut Tiranë.
Pra, qëllimi u arrit. U nisën për t’i shtuar një mandat PD-së, dhe “rrëzuan Murrizin” me një vend në renditje.
Njësoj si në shkurt të vitit 2019, kur Luli dhe “luljetat” thirrën protestë për të “rrëzuar Ramën”, dhe më përjashtuan mua.
Mirëpo, për fat të “keq”, koha më dha të drejtë, aq sa detyroi Kuvendin Kombëtar të PD-së në prill të vitit 2022 të miratonte një rezolutë që nuk do të digjen më mandatet dhe nuk do t’i falen më bashki Ramës.
I falënderoj me shpirt të gjithë numëruesit, pa përjashtim, për “sakrificën” e madhe dhe “heroizmin” që treguan, duke “favorizuar”, “përkrahur” dhe “ndihmuar” pa masë “armikun” Murrizi me 57 vota, duke mundësuar që të renditej një vend më lart.
Një falënderim i veçantë u takon numëruesve të PD-së që “rrezikuan” shumë me këtë “favorizim” të patolerueshëm, kur porosia nga çdo “lider”, “udhëheqës” apo drejtues dege ka qenë: zero mbështetje për rebelin dhe “armikun permanent” Murrizi.
Por falë “syrit vigjilent” të punëtorëve të partisë në KAS dhe të punëtorëve të KQZ-së në “rinumërim”, që në fakt ishte rivlerësim me seleksionim, dhe që sipas informacioneve të mia janë familjarë, kushërinj, kunetër, nipa, mbesa dhe rreth familjar i miksuar i PD-së, PR-së dhe PS-së, “armiku” Murrizi mori “dënimin” dhe nga 7289 vota do të ketë 7232 — nëse nuk do të ketë ndonjë “ankesë” për një “rinumërim” tjetër.
Jo 57 vota, por edhe 570 apo 1570 vota të m’i hiqni, ju garantoj se mund të ndryshoni renditjen e kandidatëve sipas KQZ-së për buletinin informativ, por kurrë renditjen për mandatet në Kuvend, sepse atë e dini shumë mirë se nuk e ndryshoni dot me “rinumërim”.
Atë renditje e keni thuajse të përcaktuar, jo nga Murrizi, por nga miqtë, shokët dhe kolegët tuaj që ju kanë denoncuar në SPAK, ku hyni duke “qeshur” e dilni si të “shqetësuar”, një nga një, sipas renditjes që keni “fituar” nga lepirjet, nga tarifat apo nga “rinumërimi”.
