Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama bëri të ditur disa ndryshime drastike në Kodin Penal. Që nga siguria ushqimore, te dhuna në Kuvend, bluzat e bardha, stadiume etj e deri tek lojërat e fatit, mjedisi dhe prishja e qetësisë publike.
“Është punuar intensivisht nga një grup i përbërë prej drejtuesve të komisioneve përkatëse, ministrave, ekspertëve por siç e thashë paketa është e hapur për përmirësime jo për lehtësime. Për përmirësime dhe për pasurim të mëtejshëm të saj”, u shpreh Rama gjatë fjalës së tij.
Por çfarë ndryshon në Kodin Penal?
Siguria ushqimore
Kryeministri Edi Rama referuar dhe publikimeve të fundit tha se produktet shqiptare janë të sigurta, duke përmendur eksportet gjatë 2018-tës ku asnjë kamion nuk është kthyer mbrapsht. Megjithatë duke pranuar se ka raste të abuzimit me sigurinë ushqimore parashikohet heqja e lirisë së aktivitetit dhe lirisë individuale.
Dhuna
Dhuna në Kuvend, ndaj bluzave të bardha, ndaj policisë, në stadiume do të ketë dispozita përkatëse për dënimin e këtyre fenomeve. “Dispozita pëkatëse për dënimin e këtyre fenomenve kanë mangësi, janë fare të lehta ose nuk ekzistojnë”, tha Rama.
E drejta e autorit
Ky ndryshim sipas Ramës vjen si pasojë e një reflektimi të domosdoshëm pas 30 vitesh. “Nevoja për ndyshime në kodin penal për mbrojtjen e të drejtës së autorit për shembull, vjen si pasojë e një reflektimi të domosdoshëm pas 30 vitesh zhvillime krejt të pamjaftueshme pozitivëe në këtë drejtim”, tha ai.
Lojërat e fatit
Edhe pse u mbyllën në dhjetor të 2018, aktiviteti i lojërave të fatit vijon në mënyrë të paligjshme dhe për këtë kryeministri tha se do të ketë reagimin e duhur me ndryshimet në Kodin Penal.
“Kemi nevojë të ndërhyjmë për të ndëshkuar me ligj si vepër penale veprimtarinë e lojërave të fatit në mënyrë të paligjshme, në mënyrë që të ndalojmë reagimin apo disponimin për të zhvilluar në ilegalitet lojëra fati”, tha ai.
Rendi dhe qetësia publike
Qytetarët janë ankuar shpesh për zhurmat dhe prishje të qetësisë publike, dhe kryeminsitri tha se asnjë nga institucionet nuk ka të gjithë fuqinë që duhet ti japë ligjit dhe komuniteti merret peng i ping-pongut institucional.
“Në lidhje me rendin e qetësinë publike ka nevojë për ndërhyrje sepse ankesat e qytetarëve tanimë janë bërë më shumë se çerekshekullore lidhur me mosrespektimin e kërkesave të legjislacionit për zhurmat e rrëmujat të cilat në Kodet penale të vendeve të zhvilluara ka dispozita shumë të qarta kur tejkalohen normat e lejuar me ligj për zhurmat. Një komunitet i tërë merret peng në ping pong të institucioneve, ku asnjë nuk ka të gjithë fuqinë që duhet të japë ligji për të reaguar pa e kthyer në ping pong stresin e qytetarëve”, tha Rama.
Armëmbajtja pa leje
“Paketa e re sjell me plotë të drejtë ashpërsim të mëtejshëm të dënimeve për mbajtne e armëve, lëndëve shpërthyese apo plasëse pa leje të organeve kompetente”, tha kryeministri duke paralajmëruar ashpërsim të masave.
Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit
Kryeministri Rama tha se nuk mund të pranohet si normalitet sportiv bllokimi i lëvizjes së lirë të mjeteve. “Nuk mundet dot ta pranojmë si normalitet sportiv bllokimin e lëvizjes së lirë të mjeteve të qytetarëve dhe për më tepër organizimin e bllokimit të qëllimshëm në mënyrë sistematike. Nuk e pranon askush, nuk ka pse e pranon Shqipëria”, tha Rama.
Mbrojtja e mjedisit
Në këtë pikë bëhet fjalë dhe për zjarrvënie në pyje, e cila u kthye në një problematikë në fillim të muajit të kaluar. “Paketa e re parashikon vepra penale të kryera nga persona fizikë apo juridikë me dashje apo nga pakujdesia apo një sërë aspektesh të të gjithë kuadrit të jetës dhe të mbrojtjes së mjedisit”, vijoi Rama.
Neglizhenca në trajtimin mjekësor
Përveç dhunës ndaj mjekëve, ashpërsim masash do të ketë edhe për neglizhencën e trajtimit mjekësor. “Neglizhenca në trajtimin mjekësor që kur rrezikon jetën e personit nuk mund të kalojë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ndërsa kur shkakton vdekjen e personit nuk mund të mos i përgjigjet domosdoshmërisë për të penalizuar autorët. Ama nga ana tjetër, paketa adreson dhe kërkesën e hershme të komunitetit për dekriminalizim të mjekimit të pakujdesshëm në raport me pasojat. Është standard evropian”, tha Rama.