Në një seancë ku nuk munguan as tensionet, ku u dha lajmi që Tom Doshi dhe Sabina Jorgo nga PSD hoqën dorë nga mandati, Niko Peleshi u votua për kryetar Kuvendi me 84 vota pro dhe 3 kundër. Në fjalën e parë, kryeparlamentari Peleshi kërkoi nga deputetët që të vendoset një standard i ri në Kuvend, duke u zbatuar me përpikëri Kushtetuta dhe Kodi Etik.
”Besimi që më dhatë sot, duke më zgjedhur kryetar të Kuvendit, është një nder dhe përgjegjësi e madhe. Përvoja ime e punës, dijet dhe energjitë e mia do të vihen në shërbim të këtij Kuvendi. Jam ftuar nga Rama dhe PS për të kryer këtë detyrë të rëndësishme në një moment historik për Shqipërinë. Ndjehem mirënjohës për ta kthyer këtë në një shtysë në këtë detyrë. Do të bëjë gjithçka mundem për të siguruar fjalën në parlament bazuar në ligj. Do të doja të vendosim një standard të ri të respektimit të Kushtetutës dhe Kodit të Etikës”, tha Peleshi.
Opozita ndonëse u shpreh paraprakisht se nuk do të merrte pjesë në votim, zgjodhi të mbushte kutinë e votimit me fotot që mbante në duar, përmes të cilave denonconte korrupsionin e qeverisë. Kreu i grupit të PD, Bardhi deklaroi para votimit se kjo shumicë nuk ka legjitimitet, teksa lëshoi akuza dhe ndaj Niko Peleshit, duke e cilësuar atë si mik të Klodian Zotos.
Java që vjen do të jetë intensive për Kuvendin. Kryetari Niko Peleshi do të thërrasë ditën e hënë kryetarët e grupeve parlamentare dhe do t’u kërkojë emrat për kryesitë dhe anëtarësisë e Komisioneve, dhe përbërjen e organeve të tjera si Byroja apo delegacionet. Të martën parashikohet një seancë plenare për votimin e anëtarësisë së Komisioneve. Seanca në pjesën gjatë paradites do të ngrejë Këshillin për Rregulloren e Mandatet. Gjatë ditës këshilli do kalojë rregulloren e re e cila do të votohet në një seancë të dytë të Martën pasdite.
