Gjykata e Posaçme nisi gjykimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për dosjen “Buka”, ku është marrë i pandehur për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Në këtë seancë, Ahmetaj u përfaqësua nga avokati Henrik Ligori.
Prokurori Elvin Gokaj lexoi para gjyqtares kërkesën për gjykimin e ish-zëvendëskryeministrit, duke parashtruar se procedimi në fjalë është regjistruar në 2022, pas kallëzimit të një qytetari mbi procedurën e privatizimit të shoqërisë “Buka Sha”.
Sipas SPAK, Ahmetaj ka firmosur një urdhër për privatizimin e firmës, edhe pse kishte disa vendime gjykate që e ndalonin këtë gjë.
SPAK kërkoi po ashtu pyetjen e disa dëshmitarëve në këtë proces, i cili po zhvillohet me procedurë të zakonshme.
Gjykata e Posaçme lexoi në seancë edhe shkresën e Interpolit për kërkimet ndaj ish-ministrit, i cili ndodhet në Zvicër.
