Ka nisur seanca e parë gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Prokurori i Specializuar do të ketë maksimum pesë orë kohë për të mbrojtur rastin. Hashim Thaçi deklaroi se është krejt i pafajshëm. “E kuptoj, jam plotësisht i pafajshëm”, tha ish-Presidenti i Kosovës.
Kadri Veseli shprehu pakënaqësinë e tij lidhur me vonesën në nisjen e gjykimit. “E kuptoj aktakuzën. Po gjithsesi e shpreh pakënaqësinë time për një vonesë të tillë, megjithatë ju falënderoj. Tërësisht i pafajshëm”, tha Veseli.
Njëjtë u deklarua edhe Rexhep Selimi. “Po, e kuptoj. Jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Selimi.
Jakup Krasniqi deklaroi se nuk ka asnjë lidhje me akuzat. “E kam të vështirë ta kuptoj akuzën. Nuk kam asnjë lidhje me pikat që i lexoi prokurorja para pak kohësh. Nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilat flitet në aktakuzë”, tha ai.
Sot në Hagë ka nisur gjykimi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Ish-krerët e UÇK-së po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998/99.