Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të realizojë, në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Londër, procedurën për blerjen e një pasurie të paluajtshme që do të shërbejë si seli e përhershme e përfaqësisë diplomatike shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, me një fond limit deri në 520 milionë lekë. Pasuria do të përdoret për ushtrimin e veprimtarisë diplomatike dhe konsullore të përfaqësisë shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar.
Vendimi, i botuar në Fletoren Zyrtare, përcakton se pasuria që do të blihet duhet të jetë e përshtatshme për funksionimin aktual dhe në perspektivë të aktivitetit diplomatik dhe konsullor, të garantojë siguri fizike dhe të ndodhet në një distancë të përshtatshme nga institucionet qendrore të shtetit pritës. Ajo duhet të jetë e lirë nga çdo barrë hipotekore apo kufizim juridik.
Sipas dokumentit, kreu i misionit diplomatik do të identifikojë jo më pak se tri oferta për pasuri të paluajtshme të llojit ndërtesë dhe truall, të cilat do t’i paraqiten një Komisioni të Posaçëm për vlerësim. Komisioni do të ketë përbërje ndërinstitucionale dhe do të shqyrtojë përmbushjen e kushteve ligjore, kostot financiare dhe kushtet e projektkontratës së shitblerjes.
Vendimi parashikon gjithashtu që komisioni të mbikëqyrë procesin e negociatave për blerjen e pasurisë dhe të vendosë për shpalljen e ofertës fituese ose skualifikimin e ofertave, sipas rastit. Në përfundim të procesit, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme do të autorizojë kreun e misionit për nënshkrimin e kontratës së shitblerjes.
Pas nënshkrimit të kontratës, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të autorizojë Ambasadën në Londër për kryerjen e pagesave përkatëse dhe për mbulimin e tarifave shoqëruese, ndërsa kreu i misionit do të ndjekë procedurat për regjistrimin e pasurisë sipas legjislacionit të Mbretërisë së Bashkuar.
Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi do të mbulohen nga buxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2025.
