Nga sot 1 dhjetor 2025, pensionistët do të mund të tërheqin bonusin e fundvitit. Edhe pse është ditë pushimi zyrtar, zyrat e postës do të jenë të hapura. Bonusi i fundvitit mund të tërhiqet gjatë gjithë muajit dhjetor, ndërsa për ata që e kanë të pamundur gjatë kësaj periudhe, afati për tërheqje është deri më 30 qershor 2026.
Bonusin prej 15 mijë lekësh do ta përfitojnë mbi 540 mijë persona. Të moshuarit që marrin deri në 20 mijë lekë pension, pensionet e invaliditetit, përfituesit e pagesës mujore familjare dhe sociale, si dhe disa kategori të tjera si ata që gëzojnë vjetërsi shërbimi apo statusin e “profesionit të vështirë”.
Bonusin prej 10 mijë lekësh do ta përfitojnë mbi 221 mijë individë, si personat që marrin pension mbi 20 mijë lekë, ata që marrin pension të parakohshëm, apo përfituesit e trajtimeve financiare të veçanta.
Nga viti i ardhshëm, bonusi i fundvitit nuk do të jetë më i buxhetuar. Në vend të tij qeveria do të aplikojë rritjen mujore të pensioneve: “Më mirë rritja mujore. E kemi më mirë për t’i menaxhuar shpenzimet”.
