Në Klos ku të mërkurën ndodhi një masakër, ku shenjat e plumbave janë ende në xhamat e lokalit. Familjet banojnë në dy fshatra të ndryshëm dhe kishin lënë takim dje. Lokali ishte i mbyllur dhe ata ishin ulur në verandë. Dëshmitarët thonë se biseda ka zgjatur vetëm 5 minuta dhe më pas kanë ndodhur të shtënat që shkaktuan tre viktima.
Një histori dashurie mes dy adoleshentëve e kundërshtuar nga familjet solli një masakër me tre viktima dhe dy të plagosur rëndë. 17-vjeçari Kenado Shira ishte i dashuruar me vajzën 16-vjeçare të Fiqiri Mjeshtrit, i cili nuk pranonte këtë lidhje dhe shkoi në lokal së bashku me dy vëllezërit e tij, Besnik Mjeshtri polic bashkiak dhe Fatmir Mjeshtri ndërsa 17-vjeçari shoqërohej nga babai Ilir Shira.
Situata agravoi deri në përdorimin e armëve të zjarrit. Si pasojë e të shtënave ndërroi jetë në vendin e ngjarjes teksa tentoi të largohej 17-vjeçari Kenado Shira.
Pak minuta më vonë në spital ndërroi jetë dhe babai i tij Ilir Shira, ndërsa të plagosur rëndë në Spitalin e Traumës janë Renato Hasula dhe Eglant Hasula të cilët kanë lidhje shoqërore me autorin dhe dyshohet se janë plagosur pasi ai ka humbur kontrollin e armës.
Fillimisht policia arrestoi dy vëllezërit e tij dhe më pas ngushtoi rrezen për të prangosur autorin i cili në një prej rrugëve periferike të qytetit u gjet i vetëvrarë.