Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha shprehet se përgatitjet për aktivitetet në kuadër të 28 dhe 29 Nëntorit kanë përfunduar dhe se qyteti i flamurit është gati për të mirëpritur mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet.
Në një intervistë me gazetaren Edlira Prendi për “TiranaNews”, Dredha zbuloi një pjesë të axhendës festive.
“Do të kemi aktivitete nga data 23 deri më 29 nëntor. 1 javë aktivitete. Vlora do të bëhet një qytet policentrik të themi, do të ketë gjithandej aktivitete. Mund të veçoj këtu dy koncerte që janë në përmasa më masive, në datën 25 një DJ i famshëm vjen nga jashtë, si dhe koncerti përmbyllës në datën 28, me artistë, këngëtarë shqiptarë të një niveli shumë të mirë. Do të jetë Eugent Bushpepa, Elvana Gjata dhe disa të tjerë.”
Dredha vlerësoi mbështetjen financiare që operatorët turistikë kanë ofruar për realizimin e këtyre aktiviteteve, teksa përmendi edhe paketat ekskluzive për vizitorët gjatë ditëve të festave.
“Ne kishim një kërkesë si bashki për të bashkëpunuar me bizneset, jemi shumë të lumtur që e përqfuan menjëherë kërkesën dhe idenë tonë. Realisht kanë kontribuar financiarisht për të gjitha këto aktivitete që ne duam të bëjmë, por kanë bërë edhe një paketë turistike dhe patriotike, me një çmim shumë të ulët. Kush qëndron tre netë në qytetin e Vlorës me një çmim simbolik 20 mijë lekë të vjetra për person, nata e tretë do të jetë falas. Për më tepër, edhe te pjesa e çmimeve që do të ofrojnë restorantet, do të jenë të një niveli mesatar, të pranueshme, apo përfshirja e operatorëve që kanë varka turistike këtu mund të shkojnë të bëjnë një udhëtim pa pagesë drej Karaburunit apo Sazanit, gjithmonë nëse koha na ndihmon. Gjithashtu, edhe hyrja në muzetë që kemi në qytet do të jetë pa lekë në datën 28 nëntor.”
Postime te ngjashme
Add A Comment