Nga Alessia Selimi
Edhe pse ngjesh në kokë një kapelë të zezë që ia mbulon sytë e përgjumur, sërish është e pamundur të mos ia dallosh rrathët e rënduar. Gentian Mark Gjonaj po më priste i përhumbur. I strukur në një tavolinë ku rrezet e diellit nuk mbërrinin dot, fytyra e tij rrethohet tërë kohës nga tymi i cigares. Jemi bërë kurioz për këtë djalë të ri demokrat, që përfundon sistematikisht në qeli sa herë ka protesta. Eshtë stili, pasioni, shtati ndoshta prej afër 2 metra, nuk dihet me saktësi, cka e ndjell më shumë shoqërimin e tij në komisariat. Kaluan shumë pak minuta kur ndryshuam rolet, shumë shpejt u ndjeva e veshur me pelerinën e të të intervistuarit. “Po ti do të doje t’i rrisje fëmijët e tu këtu?”, m’u drejtua ai krejtësisht i papërmbajtur.
Gentiani njihet për protagonizmin në protestat e zhvilluara të Partisë Demokratike dhe nuk ngurron aspak ta pohojë si një kërkesë të qenësishme për të mbijetuar. Rrugëtimi i tij i qendresave zhurmuese dhe të ashpra do të niste në vitin 2013, kur ai mori pjesë në protestën e armëve kimike. Asokohe, qëllimi i tij nuk ishte aspak i koklavitur. 31-vjeçari me origjinë nga Mirdita, kishte një besim të patundur se Edi Rama duhej rrëzuar një orë e më parë nga karrigia e pushtetit. Një telefonatë, sikurse e cilëson ai nga “lart”, do t’i propozonte për të qenë shpirti dhe drejtuesi i protestave që do të zhvilloheshin në vijim. Sikurse m’u rrëfye, Gentiani e pranoi këtë propozim pa kurrfarë shpërblimi, por vetëm në sajë të disa kushteve të shtruara prej tij që duheshin respektuar me doemos.
“Partitë funksionojnë me hierarki dhe rregulla. Unë nuk i bindesha dot këtyre të fundit, sepse nuk jam tipi që eci në shina. Ua bëra të qartë që në fillim se unë do t’ua pranoja propozimin vetëm nëse do ma linin mua në dorë mënyrën e të protestuarit”, tha Genti teksa çuditërisht u impostua edhe në qëndrim, thuajse sikur donte të tregonte me krenari se liria e tij nuk ishte e vendosur në qerthull.
I arrestuar shumë herë, së fundmi, i vendosur edhe në kërkim, Gentiani nuk stepet për të përshkruar gati gati me një lloj idealizmi të marrë protestën që i ka lënë më shumë mbresë. “Protesta më e arrirë e Partisë Demokratike besoj se ka qenë ajo e 20 shkurtit në vitin 2014. Pas nesh ndodheshin tullumbace në numër të shumtë, ku shkruheshin premtimet e Edi Ramës, të cilat më pas u lëshuan në ajër, si për të treguar se fjalët e lëshuara prej tij ishin realisht boshe dhe ne nuk besonim në mbajtjen e tyre”, tregoi ai.
Në shënjestër nga policia
Teksa vrulli dhe pasioni i të riut i është venitur, Gentiani nuk arrin dot t’i japë një shpjegim se përse është vendosur prej kaq shumë kohësh nën shënjestër të policisë. “Unë jam zhurmues, e pranoj, por jo i dhunshëm. Njëherë më kanë shoqëruar në komisariat me krah të thyer dhe të vendosur në allçi nën akuzën e kundërshtimit të forcave policore në protestë. Ndërsa njëherë tjetër për një këngë kushtuar kryeministrit”, vijoi ai duke m’u drejtuar me një buzëqeshje që mbarte mllef e zemërim të skajshëm.
Ai e cilësoi kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën si të vetmin eksponent politik që po i ofron vendit “aromë europiane”. Me një çiltërsi të pazakontë që rrallë se mund të haset te një demokrat i flaktë, ai theksoi më tej se ndryshe nga më parë, Basha ka zgjedhur të mos i blejë njerëzit si mallra tregtie.
Ai është shpesh kolona zanore e mitingjeve. Animator i sprovuar, edhe në përplasjen e fundit tek Parlamenti, megafoni ishte në duart e tij. Di si ti japë shpirt një grumbullimi të madh njerëzish.
I pranishëm kudo dhe ngado ku ka gjurmë demokratësh, Gentiani shpreh bindjen se protestat ia vlejnë, edhe në rastet kur nuk shihet dritë në fund të tunelit. “Marr rastin e protestës ndaj projektit “Unaza e Madhe”; asnjë shtëpi nuk është shembur deri më tani. Nëse ne nuk do të kishim dalë në protestë, punimet do të kishin filluar prej kohësh. Protestat nuk duhet të ndalen, nuk do të ndalen, madje unë them se deri më tani ka qenë fillimi. Situata do të agravohet”, u shpreh ai.
I pyetur se çfarë nënkupton me agravim të situatës, Gentiani m’u përgjigj se opozita mund të shkojë deri aty sa në zgjedhjet lokale, të mos i lejojë ato. Të gjejë instrumenta, që t’i bëjë të pamundura votimet. Nën adrenalinë e me sy shkrepëtitës, ai duket se e mbështet fuqishëm shprehjen “mjeti justifikon qëllimin”.
Sa i takon jetës së tij të ndërtuar jashtë politikës, Gentiani m’u rrëfye se e ndan atë midis shkollës së Drejtësisë dhe një pune që i del sa për të mbajtur veten. Po për të, këto nuk kanë shumë rëndësi, oksigjen i mbetet rendja mbas parimeve dhe idealeve. E ndërsa intervistës po i vinte fundi e tashmë filxhanët ishin njollosur nga gjurmët e fundit të kafesë, Gentiani m’u shpreh i palëkundur se kurrë nuk do të ndalet ndaj atyre që ai i konsideron padrejtësi. /Mapo.al