Ka mënyra e mënyra për t’u hakmarrë, por ajo që ka zgjedhur Havier Ontiveros i Malagas është unike dhe po bën xhiron e rrjeteve sociale në Spanjë. Futbollisti i Malagas, shok skuadre me Keidi Baren dhe në një formë të shkëlqyer në pjesën e dytë të sezonit, kishte qenë armiku numër 1 për tifozerinë e Deportivo La Korunjës.
Në ndeshjen play-off mes dy skuadrave, sa here ai prekte topin kishte vetëm vërshëllima, ndërsa në fund të duelit, që kualifikoi Deportivon në finale, u bë objekt kritikash e fyerjesh në rrjetet sociale. Tifozët nuk kursyen as adresën e tij, duke postuar aty tallje pa fund për qëndrimin në La Liga 2 të lojtarit me Malagan.
Një javë më pas, erdhi koha e hakmarrjes për Ontiveros, pasi Deportivo humbi në finale përballë Majorkës dhe vitin tjetër do të jetë edhe ai në La Liga 2. Sulmuesi filloi zbatimin e planit të tij unik që pas ndeshjes finale. Gjatë dy ditëve të fundit, të gjithë ata tifozë të Deportivos që kanë tallur lojtarin në rrjetet sociale duke postuar në llogaritë e tij në Instagram apo Twitter, kanë marrë një “like” nga vetë futbollisti. Një mënyrë unike për t’u kujtuar se ashtu si ai, edhe ata do të kalonin një tjetër vit larg elitës së futbollit spanjoll.