Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, në një intervistë për mediat ka deklaruar se gjatë protestës së dhunshme të 8 janarit, një nga 6 drejtorët e Gardës së Republikës ndodhej brenda selisë blu për të mbrojtur Lulzim Bashën. Bardhi thekson se policia ka vonuar për të ndërhyrë në selinë blu edhe pse vetë ai e kishte njoftuar.
“Kam njoftuar zv.drejtorin e Policisë, e kam telefonuar dhe mbi bazën e kërkesës të disa kolegëve i kam kërkuar që të ndërhynte. Ai më tha se po e njoftonte dhe policia po mbërrinte. Njëkohësisht në seli me mua ishte një nga 6 drejtorët e Gardës së Republikës. Ishte drejtori i mbrojtjes së personaliteteve. Po ashtu dhe drejtori i Gardës njoftoi policinë.
Kam ritelefonuar pas 10 minutash, më pas kam marrë drejtorin e Policisë së Shtetit 4 herë dhe pasi kishin mashtruar delegacionet ndërkombëtar. Pasi kam telefonuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, më ka kërkuar që të dërgoj shkresë zyrtare. E kam njoftuar me mesazh dhe kemi bërë njoftim publik. Më pas ka ndërhyrë policia e shtetit,” – tha ai.
Sa i përket ndërhyrjes së policisë, Bardhi u shpreh se ka qenë brutale, pasi personat që kanë qenë brenda selisë janë rrezikuar nga gazi lotsjellës.
“Së pari policia ishte e vonuar dhe ndërhyrja ishte brutale dhe ka rrezikuar jetën jo vetëm që ata ishin jashtë, por dhe ata që ishin brenda godinës. Ne që ishim brenda nuk dinim ku të shkonim, pasi kishte shumë gaz”, shtoi Bardhi.
Më tej ai u shpreh se kanë telefonuar policinë në orën 12:27, por shtoi se ndërhyrja e tyre ka vonuar.
“Policia një ditë përpara protestës i ka dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike një letër zyrtare ku i thotë nesër një grup qytetarësh kanë thirrur një protestë. Për çdo çështje që lidhet me zhvillimet në protestë pika e kontaktit në polici është zv/drejtori në Policinë e Shtetit. Në momentin që protesta është kthyer në një protestë masive dhune, në orën 12:27 kam telefonuar zv/drejtorin”, u shpreh Bardhi.
Çfarë ndodhi më 8 janar?
E shtuna ishte një ngjarje dramatike për Partinë Demokratike por edhe për imazhin e vendit. Mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha sulmuan selinë e Partisë Demokratike. U desh ndërhyrja e policisë, që situata të vihej nën kontroll në pak minuta, pasi por rrezikohej seriozisht jeta e deputetëve që ndodheshin brenda selisë si dhe kreut të PD-së Lulzim Bashës.
SHBA i ka dhënë një tjetër shuplakë Sali Berishës duke dënuar përpjekjet e tij për të rimarrë me dhunë Partinë Demokratike. Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar dënoi dhunën në protestën e 8 Janarit në selinë e PD-së ndërsa bëri të qartë se jo çdo çdokush që pretendon se është anëtar i PD është aleat i SHBA-ve për momentin.