Një tjetër emër në listën e kandidatëve të LSI-së, ka dorëzuar sot formularin e dekriminalizimit në Komisioin Qendror të Zgjedhjeve, duke i hapur kështu rrugën marrjes së mandatit.
Bëhet fjalë për Klajdi Qama, i shtati në listën e LSI për deputet në qarkun e Beratit. Teksa nuk dihet ende se çfarë ka shkruar në formularin e dekriminalizimit, në maj të 2017-tës, ku dhe u publikuan listat e kandidatëve, u bë e ditur se ai është gjobitur me 120 mijë lekë në vitin 2010 me akuzën e kanosjes, por që në apel gjoba i është ulur në 80 mijë lekë.
Ja çfarë thuhej në dokumentin e KQZ-së në atë kohë:
KLAJDI SELIM QAMA kandidat në listën shumë emërore Partia Lëvizja Socialiste për Integrim me numër rendor 07, Qarku Berat ka deklaruar se është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, Kundravajtje Penale. Sipas shkresës me nr.3687/1 prot, datë 02.05.2017 -së drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Vërtetimit të Gjendjes Gjyqësore të datës 01.05.2017, z. Qama me vendimin Nr.70 date 24.03.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat është deklaruar fajtor për veprën penale “Kanosje”, parashikuar nga Neni 84 K.P i dënuar me 120.000 lekë gjobë. Në aplikim të Nenit 406 K.PR.P është dënuar përfundimisht me 80.000 lekë gjobë Në bazë të nenit 69 K.P është rehabilituar.