Deputeti i PS-së, Erion Braçe theksoi se duhet të bëhet presion maksimal mbi autoritet greke për njohjen e sigurimeve shoqërore të shqiptarëve të cilët punojnë në vendin fqinj.
“Javës që shkoi ishte Zvicra që njoftoi se është në prag të marrëveshjes së sigurimeve shoqërore. E vetmja që nuk bën asnjë hap është Greqia, edhe pse shqiptarët që jetojnë atje kanë kontribuar për ekonominë greke. Ata presin e presin që të përfitojnë nga një marrëveshje.
Unë mendoj që kjo nuk mund të jetë çështje qe qeverisë, por është themelore për të kuptuar që duhet të bëhet çështje e parlamentit, e komisioneve parlamentare, nga i jashtmi te i ekonomisë e me radhë me qëllim që presioni mbi autoritetet greke të arrijë në maksimum për të marrë atë që ju takon punëtorëve shqiptarë”, tha Braçe.