Reperi i njohur shqiptar Noizy është arrestuar të shtunën në aeroportin e Zyrihut, në momentin që po hynte në Zvicër. Lajmi është bërë i ditur nga mediat zvicerane dhe është konfirmuar nga Policia Kantonale e Zyrihut.
Sipas autoriteteve, arrestimi është kryer me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda ndaj Personit. Noizy kishte mbërritur në Zvicër për të prezantuar albumin e tij të ri në klubin “Rinora 4” në Rümlang, një vend i njohur për komunitetin shqiptar.
Menjëherë pas arrestimit, klubi “Rinora 4” ka hequr nga rrjetet sociale të gjitha njoftimet për koncertin që ishte parashikuar të mbahej në fundjavë.
Kjo nuk është hera e parë që reperi përballet me drejtësinë. Në gusht të vitit të kaluar, Noizy u arrestua në Shqipëri, pasi ishte në kërkim për përfshirje në një sherr në një diskotekë. Ai u lirua disa ditë më vonë me kusht, ndërsa në nëntor u dënua me një gjobë prej 15 mijë eurosh për të njëjtën ngjarje.
Ende nuk dihen detaje të mëtejshme lidhur me bazën ligjore të arrestimit të tij në Zvicër dhe nëse ka lidhje me ngjarjen e mëparshme në Shqipëri.

