Ka qenë vetë kryeministri Edi Rama ai që ka bërë të ditur paraditen e sotme se nesër në Kuvend do të miratohet dhe projektligji për krimin zgjedhor, që sipas Ramës ata që bëjnë këtë vepër penale nuk do të lejohet të dalin jashtë shtetit.
Sipas dokumentit, kërkesa mban firmën e deputetit socialist Ervin Bushati e që është regjistruar në Kuvend ditën e martë, 18 qershor, kërkohet shtesë pikash në nenin 30 dhe atë 43//b të Kodit Penal. Bushati thotë në një status në Facebook se parashikohet që të mos lejohet të dalin jashtë shtetit nga 5 deri në 10 vite.
Kështu në nenin 30 shtohet pika e 11 në të cilin thuhet: Ndalimi jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Por çfarë thotë aktualisht neni 30 i Kodit Penal?
Neni 30
Dënime plotësuese
Për personat që kanë kryer krime ose kundërvajtje penale, bashkë me dënimin kryesor, mund të jepen edhe një ose disa nga këto dënime plotësuese:
- Ndalimi i të drejtës për të ushtruar funksione publike.
- Konfiskimi i mjeteve të kryerjes së veprës penale dhe produkteve të veprës penale.
- Ndalimi për të drejtuar automjete.
- Heqja e dekoratave, titujve të nderit.
- Heqja e së drejtës të ushtrimit të një veprimtarie ose mjeshtërie.
- Heqja e së drejtës për të ushtruar detyra drejtuese pranë personave juridikë.
- Ndalimi për të qëndruar në një ose disa njësi administrative.
- Nxjerrja jashtë territorit.
- Detyrimi për publikimin e vendimit gjyqësor.
- Humbja e përgjegjësisë prindërore.
Gjykata, në raste të veçanta, kur dhënia e dënimeve kryesore çmohet e papërshtatshme dhe kur ligji parashikon dënim me burgim deri në 3 vjet ose dënime të tjera më të lehta për veprën e kryer, mund të mjaftohet vetëm me caktimin e dënimit plotësues.
Ndërsa shtohet edhe neni 43/b ku gjithashtu thuhet: Ndalimi i daljes jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Ndërkohë në nenin 44, paragrafin e dytë të tij shtohen dhe efektet e pikës 11, që shtohet në nenin 30 të Kodit Penal, që do të thotë afati i ndalimit për të dalë jashtë territorit fillon pas vuajtjes së dënimit. Kjo për faktin se në Kodin Penal thuhet: “Të drejtat e cenuara nga dënimet plotësuese i dënuari nuk mund t’i ushtrojë gjatë kohës së vuajtjes së dënimit me burgim”.
Vetë iniciatori i kësaj nisme, Ervin Bushati në një status në Facebook duke shpjeguar këto ndryshime thotë se “Vendi ynë ka bërë hapa të rëndësishëm drejt integrimit dhe krijimit të shtetit të së drejtës, ku drejtësia është e barabartë për të gjithë. Reforma në drejtësi është kryekurora e çdo reforme tjetër të ndërmarrë dhe ashpërsimi i Kodit Penal për çdokënd që cenon demokracinë dhe votën e lirë shihet si një domosdoshmëri imediate, ndaj edhe kjo rrëmujë që po ndodh ditët e fundit nuk është gjë tjetër përveçse frika që ish-opozita jonë ka nga reforma në drejtësi”.