Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka akuzuar sërish sot kryetaren e Komisionit të Mediave, Flutura Açkën se ka bashkuar votat me qeverinë për të mos thirrur në seancë ministren e Kulturës Elva Margariti.
Në një intervistë në News 24 ajo u përplas edhe me nënkryetarin socialist të komisionit, Petro Koçi për të cilin tha se jep leksione pleqsh.
Pse këto tone të ashpra me Açkën?
Ina Zhupa: Betejën unë e kam me maxhorancën, jam votuar për ti kërkuar llogari maxhorancës. Nuk po kërkoja asgjë më shumë se ajo që kërkoj nga nëntori i kaluar.
Kam kërkuar të thirret Margariti për çështjet e trashëgimisë kulturore. Nga nëntori jemi në fund të janarit dhe sa herë parashikohet një seancë me Elva Margaritin ndodh njësoj.
Açka duhet të japë informacion pse nuk paraqitet Margariti?
Ina Zhupa: Unë nuk ia ndaloj dot askujt që ta mbrojë ministren dhe të bashkojë votat me Petro Koçin. Kjo është puna e Edi Ramës për të penguar opozitën të ushtrojë rolin e saj kontrollues dhe llogaridhënës.
Ne jemi aty për të kërkuar llogari. Nëse na cënohet koha, na vendosen limite, fakti që Petro Koçi është investuar për të mbrojtur mosardhjen e minsitres në komision, dhe ka bashkuar votat me një pjesë të deputetëve të opozitës, tregon qëllimin e vërtetë.
Petro Koçi: Mos na jep leksione parlamentarizmi.
Ina Zhupa: Edhe leksione pleqsh nuk do të dëgjojmë.
Petro Koçi: Kjo nuk ka lidhje me marrjen në mbrojtje të ministres. Janë nonsesne të pahijshme. Komisioni merr vendime dhe thërret ministrin.