Kandidatja për kryetare e Partisë Demokratike, Edith Harxhi u shpreh se gara në Partinë Demokratike, është e pabarabartë.
Harxhi theksoi mospraninë e deputetëve të PD-së, gjatë takimeve të saj në fushatë.
“Kam vënë re diçka shumë interesante. Ata të cilët kanë ardhur nëpër takime, sepse jo të gjithë kanë ardhur dhe ky është një shqetësim tjetër, sepse në shumicën e rasteve deputetët e PD-së, nuk kanë ardhur në takimet e mia. Ata kanë qenë në takimet e z.Basha, asnjëanësia ruhet kur nuk shkon në asnjë takim. Ata, jo vetëm që kanë qenë në takimet e z.Basha, por janë shprehur dhe pas takimeve në Facebook që mbështesin plotësisht z.Basha në kandidimin e tij. Mendoj se kjo nuk është normale, sepse ata janë deputetë të PD-së dhe jo të listës së Lulzim Bashës.”
Ndër të tjera, Harxhi shprehet se nëse sipas saj do të zhvillohej një proces i drejtë më 13-Qershor, Basha do të rezultonte humbës.
“Në qoftë se do të lihej i lirë si proces, unë mendoj se z.Basha nuk do të fitonte më shumë se 20-30% dhe do dilte humbës. Absolutisht humbës”, tha ajo për Vizion Plus.