Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu ka bërë një paralelizëm mes fatkeqësisë së përmbytjeve në Shkodër dhe tërmetit të 26 nëntorit si dhe rolit të opozitës në të dy rastet. Ai thotë se kur ishte PS në opozitë gjatë përmbytjeve në Shkodër, ata kanë ndihmuar shumë përmes pakove të ndryshme ushqimore dhe veshjeve ndërsa opozita e sotme nuk e ka futur dorën në xhep për të dëmtuarit e tërmetit.
“Janë mbledhur dhe është lënë në vlerësimin e atyre inxhinierëve që kanë marrë pjesë vullnetarisht. Është e pavërtetë që qeveria nuk na ka mbështetur. Përqindja e ankesave është shumë e vogël. Ne kemi shkuar në shumë shtëpi ku inxhinierët e kanë vlerësuar banesën DS1 ndërsa banorët këmbëngulnin se ato ishin DS3. Ka shumë abuzues. Të gjithë vlerësimet DS1, 2 dhe 3 i ka bërë bashkia. Opozita që kur ka filluar, nuk ka harxhuar asnjë lek. Kur është përmbytur Shkodra, PS ka ndihmuar me pako ushqimore ndërsa me këtë tërmetin, opozita aktuale nuk ka ndihmuar me asgjë” tha Ndreu për Report Tv.