Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama ka zgjedhur t’i urojë sot festën e 7 Marsit ish- mësuesit të tij kujdestar, të cilin arriti ta gjente në Kosovë pas 44 vitesh.
Me një shënim në facebook, ndërsa poston foto me ish-mësuesin, Luan Rama shkruan se e ka patur edukator, shembull e model, por vetëm për disa muaj, pasi u burgos nga regjimi komunist.
Zëvendëskryetari i LSI-së thotë se nuk ja uroi dot festën kur ishte nxënës, pasi ai u dërgua në qeli para 7 Marsit, e për këtë sot mori rrugën drejt Podujevës, “për t’i dedikuar atij një lavdërim të veçantë”.
Postimi i plotë:
Në Podujevë të Kosovës,
për t’i uruar festën mësuesit tim.
Në festën e mësuesit, në ditën e shenjtë që shënjon një festë që duhet të jetë nga më të bukurat e më të rëndësishmet që një komb duhet të ketë, i dedikoj një lavdërim të veçantë mësues Ymer Llugaliut prej Kosove.
E kam patur mësues kujdestar për disa muaj, në klasën e pestë në Kurbnesh të Mirditës.
E kam patur edhe mësues të gjuhës shqipe dhe të leximit letrar, siç quhej në atë kohë lënda e letërsisë. E kam patur edukator, e kam patur shembull e model, por vetëm për disa muaj…
Sepse më vonë e arrestuan, e burgosën!
Ishte nëntori i vitit 1976.
Me këtë fragment nga një shkrim i një viti më parë, ia dola të komunikoj më nipat e ish-mësuesit tim, dhe falë tyre edhe t’a gjej.
E, sot në festën e mësuesit, erdha enkas t’ia uroj festën mësues Ymer Llugaliut. Erdha në Podujevë, aty ku ai jeton që prej vitit 1999, ku u rikthye pas çlirimit të Kosovës.
Erdha dhe e urova me gjithë zemër pas 44 vitesh: Gëzuar festën mësuesi im!
Për sa kohë unë isha nxënës dhe ai mësues, nuk ia urova dot festën mësuesit tim.
Sepse, atë e burgosën pa ardhur 7 marsi i vitit të parë kur unë isha nxënesi i tij.
E mandej, ai u detyrua të kalonte nëpër shkallët e ferrit të rregjimit komunist, pa mundur të ndjente kënaqësinë e urimit të festës së mësuesit prej nxënësve të tij.
Unë erdha sot enkas për mësuesin tim, e urova me gjithë zemër në Podujevën e tij, në Kosovën tonë.
Dhe sa shumë emocione e mall, sa shumë kujtime e gëzim ndamë bashkë, teksa unë dëgjoja nga goja e tij t’ju thoshtë nipave, të afërmve, por edhe bashkëqytetarëve të tij: e kam patur nxënës dhe ka ardhur nga Shqipëria për të më uruar festën e mësuesit…