Specialistët për Hetimin Krimeve në Tiranë kanë arrestuar 6 shtetas, të cilët akuzohen për “Moskallëzim krimi”, pasi mbajtën të fshehtë një ngjarje të ndodhur në një lokal në kryeqytet. “Në pranga kanë rënë shtetasit: F. S., 49 vjeç, H. K., 44 vjeç, T. K., 29 vjeç, A. N., 41 vjeç, L. M., 45 vjeç dhe S. K., 49 vjeç.”
Sipas policisë, në orët e para të mëngjesit të djeshëm është kryer një vjedhje me dhunë në lokalin në pronësi të shtetasit F. S., që ndodhet në bulevardin e Kasharit, por personat e pranishëm nuk kanë njoftuar autoritetet.
Gjatë kontrolleve të kryera në ambientet e lokalit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan si prova materiale 3 kompjuterë dhe 1 tavolinë, që dyshohet se përdoreshin për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Policia bën me dije se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vjedhjes, si dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
