Emisioni “Në Shënjestër” me autore gazetaren Klodiana Lala, transmetoi këtë të martë, dëshminë e nënës së Elis Rroshkodolit, i vrarë me armë zjarri , teksa po konsumonte kafe në një lokal në qytetin e Shkodrës.
Kjo është hera e parë që Lindita flet në media duke dhënë versionin e saj për ngjarjen e rëndë të 30 gushtit kur djalit të saj iu pre jeta në mes në moshën 36 vjeç.
Lindita Rroshkodoli, është një grua e mbetur e ve që në vitin 1993 kur i shoqi u qëllua po në një lokal teksa ishte kthyer nga një varrim.
“Burri kur u vra ishte me një shok duke pirë kafe. Dhe ky quhej Hys. Dhe e thërrasin Hysën të dalë si dëshmitar. Ai nuk pranonte, kishte frikë, apo ndjente presion, nuk e di.
Dhe e thërrasin dy kunetërit e mi, vëllezërit e burrit. Ore nuk do të të bëjmë gjë. Vetëm trego. Në atë kohë kunati i vogël e plagos Hysën dhe ai ngel invalid. Tani ia faturuan djalit”
Plagosja e dëshmirarit tashmë ishte një plagë e hapur për familjen Rroshkodoli.
Që ndërsa kërkonte drejtësi për kryefamiljarin e humbur, duhej të përballej tashmë me një gjak të pashlyer.
Për ti shpëtuar gjakmarjes, Lindita tregon se vendosi të dërgojë djemtë në azil, së pari djalin e madh Elisin.
“Shumë sakrifica si nënë. Mbaroi klasën e 8. Kisha ngacmime, Merri fëmijët dhe largohu nga Shkodra.
Ku do ikja? Lekë nuk kisha, pasaportë nuk kisha. Djemtë u rritën. Frika më hyri më shumë. Se mi ngacmonin njerëzit. Do merrni gjakun”, thotë ajo për emisionin “Në Shënjestër”.
Ajo tregon se gjithmonë ishte e interesuar për pajtim gjaqesh, por nuk pranonin pala kundërshtare.
Dhe u detyrova ta çoja në azil. Njeri s’kisha, lekë s’kisha. U detyrova ta çoj Elisin në Belgjikë. 4 muaj kishte Elisi në Belgjikë. Dhe do shkonte edhe djali tjetër”, thotë Lindita.
Por nuk do të vononte dhe një tjetër ngjarje e kobshme do të binte mbi familjen e Linditës.
Ai që do të humbiste jetën këtë here do të ishte Taulanti, djali i saj më i vogël I cili ndërsa po përgatitej t’i bashkohej vëllait të tij më të madh Elisit në azil në Belgjikë, bie pre e një aksidenti të rëndë automobilistik. Ku krahas tij, humbin jetën edhe tre persona të tjerë.
“Bëri pasaportën. Fal një shok, fal një teze, fal një dajë. Vjen në Elbasan dhe më thotë, mami do shkoj të takoj nënëdajën, dhe shokët se unë nuk dihet kur vi tani, Mirë mi mam i thashë. Kur më vjen haberi, djali kishte humbur jetën. U bë një aksident i madh, në Labinot të Elbasanit. Vdiqën katër vetë. Ndër ta ishte edhe Taulanti, 23 vjeç”, rrëfen Lindita Rroshkodoli.
Duket se fati me këtë nënë që ende nuk kishte hequr rrobat e zisë së humbjes së bashkëshortit, po tregohej më i pamëshirshëm se me askënd.
Pasi sa herë përpiqej të rregullonte një gjë, një dorë tjetër duket sikur punonte për t’i rrokullisur ato me kokë poshtë.
Një fat i zi që do ta përndiqte edhe në vazhdim.
Vdekja tragjike e Taulantit në aksident, do të bënte që edhe Elisi të linte azilin në Belgjikë dhe të qëndronte pranë nënës së tij, që ishte mjaftueshëm e ligshtuar në shëndet pas humbjes së djalit.
Por kthimi i Elisit në Shqipëri do të hidhte poshtë edhe të gjithë mundin dhe sakrificën që kishin bërë si familje, që ai të shkonte në azil në Belgjikë.
“Nuk mund ta varrosja djalin pa erdhur vëllai. U lajmërua Elisi. Elisi ndejti katër muaj me mua, se unë isha vetëm, isha shumë e sëmurë”, thotë ajo.
