Kuvendi nuk ka falur deputetët që dogjën karriget, pasi iu ka mbajtur një pjesë të pagës. Ata janë: Gazment Bardhi, Flamur Noka, Bledjon Nallbati dhe Elda Hoti. Këta deputetë më datë 30 shtator 2024 shkaktuan akte dhune në parlament, duke dëmtuar karrige, pajisje dhe sisteme të ndryshme elektronike.
Katër deputetët kanë refuzuar që të paguajnë vullnetarisht dëmin e shkaktuar. Duke qenë se ata vetë kanë refuzuar të kryejnë pagesë, shuma iu është mbajtur nga paga e muajve nëntor e dhjetor 2024. Sipas faturës, dëmi i shkaktuar shkon në shumën 764 mijë lekë të reja.
Bardhit i janë mbajtur 209 mijë lekë, Flamur Nokës e Nallbatit 187 mijë lekë dhe Elda Hotit 180 mijë. Në dokument madje thuhet se Bardhi ka dëmtuar stemën e parlamentit, karriget e ka djegur tapetin, ndërsa të tjerët kanë djegur karriget dhe tapetin. Dokumenti u firmos nga Sekretari i parlamentit, Genci Gjonçaj.
Kujtojmë se deputetët e PD-së dogjën karriget e parlamentit më datë 30 shtator të vitit të kaluar, në shenjë proteste pasi Gjykata e Apelit dënoi kolegun e tyre Ervin Salianjin me një vit heqje lirie.