Pas zyrtarizimit të 61 kandidatëve për kryetar bashkie në zgjedhjet lokale të 30 qershorit kanë nisur dhe diskutimet për emrat e përzgjedhur nga socialistët.
Haxhi Memolla garon për një mandat 4-vjeçar për të drejtuar bashkinë e Rrogozhinës.
Në vitin 2012, ai ia doli që të rikthejë në vëmendje degën e PS në këtë qytet, kur një sherr epik mes tij dhe Elvis Roshit, u kthye në lajmin e ditës në kryeqytet.
Elvis Roshi, ish-kryetari protagonist, me një vizibilitet nacional për socialistët e Kavajës, u akuzua se qëlloi me grusht Haxhi Memollën, kur ky i fundit ishte duke folur në podium.
Sensacioni ishte i madh, turma u ekzaltua, kur Roshi u ngrit mbi karrige, më pas qëlloi me radhë të gjithë anëtarët e Asamblesë së Rrogozhinës.
Ja çfarë thoshte viktima e këtij sherri, Haxhi Memolla në vitin 2012 për gazeta Mapo.
“Në kohën që doli zoti Xhavit në podium për të fol, gjatë fundit, kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, iu drejtua Xhavitit dhe i tha: Ik shiko Rrogozhinën dhe mos shiko Kavajën. Unë që isha i pranishëm në sallë i thashë që Rrogozhinën e kemi parë se kemi 20 vjet që fitojmë së bashku me Partinë Socialiste. Në këtë moment më gjuan mua me grusht, u ngrit sipër karrigeve dhe në sallë futet policia bashkiake dhe nxjerr jashtë sallës të gjithë anëtarët e Asamblesë përfaqësues të Rrogozhinës dhe Sinaballit. Pra, i nxori me forcë jashtë sallës. Ndërkohë që në këtë moment që në sallë kishte hyrë policia bashkiake ai i gjuan dhe ish-deputetit Ibraim Kalemi, në vitet ’90, dhe e lë me shenjë në fytyrë. Pra, bëhet fjalë për kryetarin e grupit të këshilltarëve të qytetit Rrogozhinë. Më gjuan mua dhe gjithë anëtarëve të Asamblesë së Rrogozhinës dhe Sinaballës.”