Pak ditë më parë në rrjetet sociale bëri xhiro një video që tregonte një operacion tepër të vështirë të njësisë shëndetësore të Bazës Ajrore Farkë e cila në një terren dhe kohë tepër të vështirë shpëtoi një alpiniste në Llogara. E raste të tilla ka plot sa herë që vendi përfshihet nga moti i keq, si në dimër ashtu edhe në verë, çka bën çdo shqiptar që të ndihet krenar për sakrificën që bëjnë djemtë e forcave ajrore duke rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar jetët dhe pronat e të tjerëve. Por duket se sakrifica dhe risku që marrin përsipër nuk shkon në proporcion të drejtë me vlerësimin financiar që marrin.
Këtë shqetësim e ngre edhe një nga ish-ushtarakët, Agron Shkodra, i cili ka shërbyer pikërisht pranë forcave ajrore. Ndërsa i referohet një kronike televizive që i kushtohet pikërisht punës së forcave ajrore në rastet e emergjencave civile, Shkodra bën dhe një thirrje për institucionet shtetërore për një trajtim më të mirë financiar për ish-kolegët, shkruan Gjurma.al.
“Heronj janë, shteti t’i vlerësojë më shumë.
Rrezikojnë jetën e tyre, familjet e tyre për të shpëtuar jetë të tjera.
O shtet rritu rrogën, se e kanë hallall”, shkruan ish-ushtaraku, Agron Shkodra teksa publikon edhe videon e kronikës televizive me titull “Heronjtë e ajrit, ekipi i emergjencave të shpëtimit rrëfehet për Oranews”.