Procesi i legalizimit të ndërtimeve informale është drejt fundit, me një ritëm të qëndrueshëm të miratuara nga Qeveria Rama ccdo vit, i përshpejtuar dukshëm gjatë vitit të shkuar. Por ndërsa raportohen kohë pas kohe dhjetëra mijëra legalizime, madje edhe përfundim të procesit në zona të caktuara në vend, po krijohet gjithnje e më shumë një ide e qartë mbi ato dhejëra mijëra objekte pa leje që nuk mund të aministohen, për shkak të shkeljeve të rënda të ligjit.
Është vetë ALUIZNI që i bën një vlerësim në shumë drejtime këtyre objekteve dhe arrin në përfundimin se ndërtimet e palegalizueshme zënë afërisht 29% të totalit. Sipas shifrave të raportuara nga vetë ALUIZNI në fund të vitit 2018, numri total i aplikimeve të regjistrua më gjithë vendin është 323.082, ndër të cilat 228.951 të legalizueshme dhe 94.131 të palegalizueshme.
“Mbi bazën e një studimi analitik të bërë për cdo qark, është vlerësuar se nga numri i përgjithshëm i ndërtimeve të përfshira në proces, një kontigjent prej 94.131 ndërtimesh, nuk mund të vijojnë procedurat me legjislacionin aktual pasi nuk plotësojnë kriteret për t’u legalizuar”, thekson në raport ALUIZNI.
Gjatë vitit 2018, finalizimi i procesit në dhënien e lejeve të legalizimit ka ecur me ritme relativisht të kënaqshme, me një mesatare mujore prej rreth 2.500 leje, raporton ALUIZNI. Me performancën më të mirë paraqiten Qarku Tiranë, Fier, Durrës dhe Vlorë me respektivisht 9533; 4556, 3554 dhe 3320 leje legalizimi.